OECD paralajmëron: Lufta tregtare e Trump do të dëmtojë rritjen globale

“Tarifat shtesë doganore të vendosura nga presidenti Donald Trump mbi partnerët e tij do të ndikojnë ndjeshëm në aktivitetin ekonomik në të gjithë botën”, paralajmëron OECD, e cila duket më pesimiste për rritjen në botë dhe veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.
Rritja globale pritet të ngadalësohet në një nivel “modest” prej 2.9%, nga një parashikim i mëparshëm prej 3.1%, tha Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
“Ne parashikojmë në thelb një ulje të vlerësimit për pothuajse të gjithë”, tha për BBC-në Alvaro Pereira, kryeekonomisti i OECD-së.
“Do të kemi shumë më pak rritje dhe krijim vendesh pune sesa kishim parashikuar në të kaluarën.”, shtoi ai.
OECD gjithashtu uli perspektivën për ekonominë amerikane këtë vit nga 2.2% në 1.6% dhe parashikoi se rritja do të ngadalësohej përsëri në vitin 2026. OECD paralajmëroi se SHBA ishte në rrezik nga rritja e inflacionit, diçka që Trump premtoi vazhdimisht se do të binte gjatë fushatës së tij presidenciale.
Që kur presidenti amerikan u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, një listë e gjatë vendesh janë shënjestruar nga tarifat, por qasja e paparashikueshme e Trump ndaj zbatimit të masave ka krijuar pasiguri të përhapur.
Përpara publikimit të raportit të OECD-së të martën, Trump shkroi në mediat sociale: “Për shkak të tarifave, ekonomia jonë po lulëzon!”
Megjithatë, të dhënat më të fundit zyrtare treguan se ekonomia amerikane u tkurr me një normë vjetore prej 0.2% në tre muajt e parë të këtij viti, tkurrja e parë që nga viti 2022.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




