Divjaka pastrohet para sezonit. Aksion vullnetar në plazh në Ditën Botërore të Mjedisit
Administrata e Zonave të Mbrojtura në Fier, së bashku me nxënës, vullnetarë dhe qytetarë të huaj, organizuan një aksion pastrimi në plazhin e Divjakës në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit. Qëllimi ishte sensibilizimi për reduktimin e ndotjes nga plastika dhe qelqi, të cilat hidhen pa kriter, veçanërisht në rërë.
“Jam nga Amerika dhe jam vullnetar, Shqipëria është shumë e bukur dhe duhet ta mbajmë pastër”, u shpreh vullnetari.
“U grumbulluam dhe bëmë një organizim vullnetar. Kemi mbledhur qeskat me plehra”, u shpreh një nxënës.
“Mbajtja pastër e këtij mjedisi do të thotë më shumë pushues nesër dhe më shumë jetë e shëndetshme”, u shpreh një vullnetare tjetër.
Drejtori i ADZM Fier, Fotjon Prençe, kërkoi më shumë kujdes nga pushuesit, duke theksuar se pastrime të tilla duhet të organizohen më shpesh për të ndërgjegjësuar qytetarët që të mos lënë mbetje në ambientet publike.
“Në bashkëpunim me prefekturën e qarkut, me bashkinë e Divjakës dhe banorë të zonës është bërë i mundur organizimi i ditës së sotme”, tha Drejtori i ADZM Fier.
Pak ditë pas hapjes zyrtare të sezonit turistik, periudha e qetë para fluksit të pushuesve po shfrytëzohet për pastrimin e plazhit dhe mbrojtjen e ekosistemit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




