Rama me arkitektët në Elbasan, festivali i arkitekturës “Bukë dhe Zemër” do të jetë i përvitshëm
150 arkitektë të njohur ndërkombëtarë morën pjesë në festivalin e parë të arkitekturës “Bukë dhe Zemër“, i cili u mbajt në Tiranë. Këtë të shtunë, ata u zhvendosën në Elbasan, si pjesë e një turi të parashikuar nga organizatorët.
Të ndarë në panele dhe workshop-e, të mbyllura për median, arkitektët diskutuan ide konkrete të arkitekturës bashkëkohore, duke synuar t’u japin një tjetër dimension zonave urbane dhe një qasje të re, duke aplikuar standarde që janë miqësore me njeriun dhe natyrën.
Kryeministri Edi Rama synon që festivali “Bukë dhe Zemër“ të jetë jo vetëm një nga ngjarjet që do të shënjojë Tiranën në vitet në vijim, por ta kthejë atë në kryeqendër të diskutimeve dhe inovacionit në fushën e ndërtimit, duke mbledhur çdo vit arkitektët më të njohur botërorë.
Drejtuesja e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona, e konsideron festivalin e arkitekturës si mundësi që personalitetet më të njohura botërore të arkitekturës, të angazhohen dhe të mendojnë për zhvillimin e Shqipërisë, nëpërmjet projekteve të tyre inovatore. Festivali vjen si organizim i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, nën kujdesin e posaçëm të Kryeministrit Rama.
Në këtë festival të arkitekturës morën pjesë figura të spikatura botërore si italiani Stefano Boeri, holandezi Winy Mass, i njohur për arkitekturën e tij futuriste, zvicerani Christian Kerez, i cili spikat me idetë e tij minimaliste, arkitektja indoneziane Elora Hardy, që aplikon stilin organik të bazuar në zanate dhe në ekobalancë.
Shqipëria, vitet e fundit, po konsiderohet si vendi që prodhon më shumë arkitekturë në të gjithë Evropën.
Gazetare: Denada Shkodrani
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




