Diplomati Albert Prenkaj: Kosova dhe Ukraina nuk janë të barabarta, qëndrimi i Serbisë ka ndryshuar thelbësisht

Kosovë | 1 vit më parë

Në një intervistë në “Nazarko Podcast” në RTSH, diplomati i njohur Albert Prenkaj theksoi se nuk duhet të bëhen paralele mes situatës së Rusisë dhe Ukrainës me atë të Kosovës, pasi sipas tij janë dy çështje krejtësisht të ndryshme dhe kompleksiteti i tyre nuk mund të krahasohet.

“Paralelizmi që disa tentojnë të bëjnë mes Kosovës dhe Ukrainës është jo vetëm i gabuar, por edhe i rrezikshëm,” u shpreh z. Prenkaj në bisedën me moderatorin Mentor Nazarko, duke paralajmëruar se një bashkëbisedim i njëjtë për dy çështjet mund të përfundojë në dëm të Kosovës.

Ai rikujtoi negociatat e Brukselit, veçanërisht marrëveshjen e vitit 2013, që parashikonte që Serbia dhe Kosova të mos pengonin njëra-tjetrën në rrugën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Megjithatë, Prenkaj shpjegoi se qëndrimi i Serbisë ka ndryshuar thelbësisht gjatë viteve të fundit, duke e ashpërsuar retorikën dhe duke penguar përparimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Serbia ka ndryshuar politikën e saj. Ka pasur edhe mosmarrëveshje të brendshme mes udhëheqësve, por ai qëndrim i ngurtë i Vuçiçit ka ndikuar në frenimin e Kosovës. Në thelb, kjo nuk është vetëm çështje e Serbisë, por edhe e ndikimit rus në rajon,” tha ai.

Diplomati Prenkaj komentoi gjithashtu skenarët e diskutuar në bisedimet e Uashingtonit, përfshirë idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar këtë si pjesë të lojës strategjike të Kremlinit për rivendosjen e influencës në Ballkan.

Duke theksuar nevojën për guxim dhe vullnet politik, ai shtoi se rruga përpara për Kosovën është integrimi i komunitetit serb në shtetin kosovar dhe përparimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, për një bashkëjetesë paqësore.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë ngushtë, për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal,” përfundoi z. Prenkaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme