Albert Prenkaj, rrëfim ekskluziv në RTSH: Nga ndërtimi i shtetit të Kosovës te sfidat e sotme të diplomacisë dhe identitetit kombëtar
Në intervistën përballë Mentor Nazarkos, ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, rrëfeu në “Nazarko Podcast” në RTSH dhe Radio Tirana, rrugëtimin personal dhe profesional që përkon me rrugën historike të shtetndërtimit të Kosovës.
I lindur në Pejë më 1968, z. Prenkaj kujtoi me ndjeshmëri vitet formuese në një qytet, që përfaqësonte një përzierje të ndërlikuar etnike dhe politike. Me origjinë nga një familje me traditë liberale dhe me ndjeshmëri kulturore, ai zbuloi se ishte dashuria për historinë dhe jo mjekësia – dëshira e babait të tij – që do të përcaktonte fatin e tij profesional.
Duke kaluar nga shërbimi ushtarak në Jugosllavi, drejt studimeve në Fakultetin e Filozofisë dhe më pas, në përfshirjen aktive në misionet ndërkombëtare të OSBE-së në terren, z. Prenkaj përshkroi rolin e veçantë që ka luajtur kjo organizatë në konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të Kosovës. “OSBE-ja ishte një nga shtyllat e ndërtimit të shtetit tonë, veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit. Vetëm në Pejë shërbenin rreth 600 punonjës,” u shpreh ai.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, diplomati Prenkaj u bë nga të parët që iu bashkua diplomacisë kosovare, duke qenë themeluesi i ambasadës së Kosovës në Romë. Ai rrëfeu sfidat e vendosjes së marrëdhënieve me Italinë dhe angazhimet lobuese për njohjen ndërkombëtare.
“Ishim një grup i vogël diplomatësh, që duhej të ndërtonim gjithçka nga zeroja,” kujtoi ai me krenari.
Më pas, z. Prenkaj mbajti pozitat më të larta në Ministrinë e Jashtme të Kosovës, duke shërbyer si drejtor i Akademisë Diplomatike, drejtor politik, sekretar i përgjithshëm dhe drejtor i Departamentit për Amerikën në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në pjesën e dytë të intervistës, Prenkaj u shpreh i shqetësuar për deformimet e qëllimshme ose të pavetëdijshme të historisë në diskursin publik të Kosovës. Ai kritikoi deklaratat e disa zyrtarëve të rinj që, sipas tij, përpiqen të identifikojnë trashëgiminë ortodokse në Kosovë, si ekskluzivisht serbe, duke injoruar faktet historike. Në kontrast, ai vlerësoi guximin e politikanit serb liberal Čanak, i cili, publikisht deklaroi se “në Kosovë ka kisha ortodokse, jo kisha serbe”.
Në fund, diplomati i karrierës u shpreh se edhe pse i larguar nga shërbimi diplomatik, ai vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj kauzës së Kosovës dhe mbetet zë aktiv në debatin publik. Ai sot jeton në Pejë, me bashkëshorten e tij, Tringën, një mjeke me të cilën, ndan kujtime që nga bankat e shkollës, si dhe me tre fëmijët.
Identiteti i humbur: Si e braktisëm mesjetën dhe ia dorëzuam historinë Serbisë
Kur diplomacia heshti dhe historiografia u nënshtrua, kompromisi e zëvendësoi kujtesën. Dhe Kosova e pagoi çmimin.
Gjatë bisedës me z. Nazarko, i cili e drejton diskutimin kah mesjeta e mohuar shqiptare, diplomati Prenkaj shpalos një të vërtetë që prej kohësh i është shmangur ndërgjegjes sonë kolektive: historia mesjetare e shqiptarëve është dhuruar me heshtje. Dhe ajo heshtje ka folur më shumë se çdo deklaratë politike.
“Në tavolinat e Vjenës, ku do të vendosej fati i Kosovës, u firmos jo vetëm Pavarësia, por edhe dorëzimi i një trashëgimie të lashtë. Kisha Ortodokse Serbe si kompromis mori një status të garantuar në emër të stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në rajon. Dhe askush – as delegacioni, as akademia, as qeveritë tona – nuk guxoi të shtrojë pyetjen që vret: cilët i kanë ndërtuar ato kisha? Vetëm serbët?“
Faktet historike e rrëzojnë mitin
“Shqiptarët ortodoksë, përpara se të konvertoheshin, kanë celebruar ritet fetare në të njëjtat kisha që më vonë u përvetësuan nga narrativi serb. Ata janë sllavizuar gradualisht, nën një proces të gjatë përmes trysisë, ku politika dhe feja u përdorën si armë të pushtimit kulturor. Dhe ne, në vend që ta dokumentonim, e kalojmë në mënyrë të heshtur.“
Tjetërsojmë historinë tonë, madje e dorëzojmë
“Sot flitet pak – ose aspak – për Shqipërinë Veneciane, për Gjirin e Kotorrit, ku shqiptarët katolikë kishin ndërtuar qytetërim,” tha z. Nazarko.
“Për ndikimin e Kishës Katolike në ndërtimin e identitetit kombëtar, për rolin e qyteteve si Prizreni, Peja, Shkodra, apo Tivari në boshtin kulturor të kombit shqiptar, Akademitë heshtin. Tekstet shkollore nuk e trajtojnë. Gati heshtet para atributit, apo kualifikimit: serb = ortodoks, dhe shqiptar = mysliman,” vërejti z. Prenkaj.
“Edhe studiues perëndimorë me ndikim, si Oliver Schmitt, bien në këtë grackë. Në librin e tij për Kosovën, ai shkruan për “shqiptarë myslimanë dhe serbë të krishterë” – një ndarje e pasakt, aq edhe e rrezikshme. A thua se kombet lindën bashkë me fenë?
Në fakt, shqiptarët historikisht kanë qenë të tri feve. Janë të rrallë popujt që i kanë mbijetuar ndarjes fetare me kaq shumë dinjitet – por, këtë nuk e kemi përkthyer dot në narrativë shtetformuese. Serbët e kanë bërë. Edhe kroatët. Edhe boshnjakët. Ne në Kosovë e kemi kaluar, duke e injoruar si bosht kulturor i etnisë shumicë.“
Kujt i shërben kjo amnezi kombëtare?
“A kemi frikë nga e vërteta jonë historike? Apo kemi qenë shumë të zënë me politikën ditore sa të mos kuptojmë se lufta e vërtetë zhvillohet në historiografi, në tekstet shkollore, në hartat kulturore që pas 50 vitesh do të përdoren si armë?
Kjo bisedë është një alarm. Është një thirrje për t’u zgjuar. Nuk është thjesht për historianët, as për politikanët – por për çdo qytetar që do të dijë nga vjen, që të dijë ku po shkon. Sepse pa rrënjë, nuk ka as flamur, as shtet, as identitet. Nëse të rinjtë nuk e lexojnë këtë histori sot, nesër do ta mësojnë prej të tjerëve – në një gjuhë që nuk është e tyre.“
Mitet që na ndajnë: Diskursi i rremë Kosovë-Shqipëri dhe strategjitë e “kuzhinave të huaja”
Në një bisedë të ngjeshur, por të pasur në ide dhe reflektim historik, u hodh dritë mbi disa nga mitet që qarkullojnë në hapësirën shqiptare, sidomos në marrëdhënien mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nga referencat identitare të Kadaresë, te emrat mesjetarë të fëmijëve, nga mitet e propagandës serbe, deri te tensionet aktuale politike në raportin Tiranë-Prishtinë, biseda artikulon një narrativë të munguar – atë të një vetëdijeje kritike për “kuzhinat” që ushqejnë ndarjen.
Kadare dhe referencat që janë udhërrëfyes për t’iu rikthyer shtratit kulturor
Në mënyrë domethënëse u përmend figura e Ismail Kadaresë, si një ndër të paktët që, edhe në kohën e diktaturës, mbeti i lidhur me një imagjinatë perëndimore, me një Evropë kristiane mesjetare që e përfaqësonte kulturën shqiptare, thellë. Skënderbeu i Kadaresë, nuk është një simbol folklorik, por një pikë takimi me qytetërimin evropian dhe me Papët e kohës.
Historia personale, si qëndrim dhe stil i jetës
Në një vijë të natyrshme personale, ambasadori Prenkaj rrëfeu se tre fëmijët e tij – Bardhi, Bitri dhe Leka – janë quajtur me emra të nxjerrë nga historiografia mesjetare, të hasur fillimisht në tekstet serbe të studiuesit të mirënjohur Konstantin Jirecek, ku shqiptarët e mesjetës përshkruhen me identitet të qartë. Përzgjedhja e këtyre emrave është shenjë e vetëdijes historike, që kërkon rrënjë përtej shtetit modern shqiptar.
Kuzhina e miteve dhe përçarja shqiptare: Dualizmi konjitiv dhe identiteti i sfiduar
Pjesa më e ndjeshme e bisedës u përqendrua te mitet që qarkullojnë në mediet e Kosovës, sipas të cilave, Shqipëria do të ishte e ndikuar nga Serbia. Duke përmendur figura si Zogu, Enver Hoxha, apo Berisha, të cilët, në periudha të ndryshme kanë pasur lidhje ose bashkëpunime të përkohshme me Jugosllavinë apo Serbinë, u theksua se historia politike e të dy vendeve është më e ndërlikuar sesa duket.
Një term i veçantë që u përdor ishte ai i “dualizmit kognitiv” – për të përshkruar ndarjen e përjetuar mes shqiptarëve të rritur në sisteme të ndryshme: Shqipëri komuniste dhe Kosovë jugosllave. Ky dualizëm ende prodhon tensione në qasje, përfshirë marrëdhëniet e sotme politike dhe ideologjike.
Për shkak të histroisë dhe ndarjes politike, është formësuar një dualizëm kognitiv në mes Shqipërsië dhe viseve shqiptare që janë okupuar dhe mbetur në Jugosllavi, u shpreh ambasadori Prenkaj. Kosova ka qenë për dekada nën ndikimin e drejtpërdrejtë nga aspekti ekonomik, administrativ dhe kulturor i Jugosllavisë/Serbisë. Është e padrejtë që diskursi në Kosovë sot tenton të stigmatizojë Shqipërinë, si të “kapur” nga Beogradi.
Diskursi antagonist dhe krijimi i një “kosovarie” të veçuar
Përballë moderatorit Nazarko, z. Prenkaj ngriti debatin e rëndësishëm brenda korpusit shqiptar: përpjekjen për të ndërtuar një identitet kosovar, në mënyrë të ngjashme me ndarjen e Austrisë nga Gjermania. Një diskurs që ngre debate të gjalla, në Kosovë dhe në Shqipëri.
E ardhmja europiane dhe kompromiset e domosdoshme
Biseda me z. Nazarko dhe ambasadorit Prenkaj u ndal edhe në kompromiset që Shqipëria është e detyruar të bëjë, në rrugën drejt integrimit në BE – mes tyre edhe kontrolli ndaj simbolikave etno-nacionale, si flamujt e UÇK-së, simbolin “autokton” në stadiume etj. Ndërkohë, Serbia e mban Kosovën, si një temë të ndezur për të mbajtur gjallë tensionet, ndërsa Kosova futet në agjendë duke ndjekur një politikë reaktive, pa ndërtuar një politikë të qëndrueshme proaktive.
Në këtë bashkëbisedim interesant, ngrihen pyetje të thella për vetëdijen kolektive shqiptare, për raportin me të kaluarën dhe për rolin e narrativave të huaja që përçajnë – divide et impera. Historia, identiteti dhe politika mbeten të ndërthurura në një duel për kuptim dhe drejtim, ku shqiptarët ende përpiqen të kuptojnë kush janë – dhe kush nuk janë.
Ballkani i hapur dhe marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri: Diplomacia mes sfidave dhe keqkuptimeve
Në një analizë të fundit diplomatike, është nxjerrë në pah kompleksiteti i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe roli i iniciativave rajonale si “Ballkani i hapur”, që vazhdojnë të ngjallin debate dhe skepsë mes elitave politike dhe diplomatike në rajon.
Në fokus të diskutimit ishte qëndrimi amerikan, i cili mbetet i qëndrueshëm dhe i unifikuar, pavarësisht ndryshimeve politike në Uashington, si me administratën Trump ashtu edhe atë Biden. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur parimisht projektin e “Ballkanit të Hapur”, megjithatë, kjo iniciativë ka hasur kundërshtime të forta, veçanërisht nga autoritetet kosovare, që kanë refuzuar pjesëmarrjen, duke e konsideruar atë një rrezik për proceset e pavarësisë dhe stabilitetit rajonal.
Analisti nënvizon se mospranimi i Kosovës, ka bllokuar krijimin e një platforme institucionale të përbashkët, duke e lënë nismën si një çadër itinerante dhe jo si një organizëm me statut dhe autoritet të qartë. Kjo ka lejuar dominimin ekonomik dhe politik të Serbisë në rajon, gjë që shton tensionet dhe pengon normalizimin e marrëdhënieve.
Për më tepër, zëri i diplomatëve me eksperiencë hedh dritë mbi historinë e ndërlikuar të marrëdhënieve shqiptaro-kosovare, duke rikthyer në vëmendje tensionet historike dhe animozitetet që nuk kanë munguar as në periudha të ndryshme. Madje, këto mosmarrëveshje vazhdojnë të jenë një pengesë për një bashkëpunim më të fuqishëm rajonal dhe integrim më të thellë në proceset evropiane.
Në këtë kontekst, vërehet edhe një distancim diplomatik i Shqipërisë ndaj Kosovës në disa platforma ndërkombëtare, i shkaktuar nga nevoja për kompromis dhe nga presionet që vijnë nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë. Megjithatë, Shqipëria vazhdon të mbajë flamurin e mbështetjes për Kosovën në forumet më të rëndësishme, më mirë se te Kosova, siç ishte edhe roli i saj gjatë kryesimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Marrëdhëniet me fuqitë e mëdha, si Rusia dhe Kina, gjithashtu trajtohen me kujdes në këtë analizë, duke vënë në pah keqkuptime dhe perceptime të ndryshme mbi ndikimin e tyre në rajon. Në veçanti, roli i Rusisë në çështjen e Kosovës dhe në konfliktin e gjerë Rusi-Ukrainë është objekt diskutimesh të shumta, që pasqyrojnë një situatë komplekse dhe të mbushur me kontradikta diplomatike.
Në përfundim, sfidat që kanë përballë Shqipëria dhe Kosova në arenën rajonale dhe ndërkombëtare kërkojnë një qasje më të koordinuar dhe të matur, me synim forcimin e unitetit shqiptar dhe integrimin në Evropën demokratike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





