Vance: Vendimi i SHBA-së për të sulmuar centralet bërthamore iraniane ishte i yni dhe i askujt tjetër

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance ka deklaruar se ai beson se programi bërthamor i Iranit është kthyer prapa “shumë vite” nga sulmet e Uashingtonit dhe se operacioni ishte i motivuar nga vlerësimet e inteligjencës amerikane, jo nga ato izraelite.
Vance u shpreh se ndihet “shumë i sigurt se SHBA ka vonuar ndjeshëm zhvillimin e një arme bërthamore të Iranit dhe se ndërsa nuk mund të japë një vlerësim zyrtar, dyshon se do të duhen “shumë, shumë vite” tani para se Irani të arrijë bombën.
I pyetur nëse Presidenti i SHBA-së Donald Trump dha miratimin për operacionin bazuar në vlerësimet e inteligjencës amerikane ose izraelite për aftësitë bërthamore të Iranit, Vance tha se “ishte inteligjenca jonë” që çoi në marrjen e vendimit.
“Sigurisht që ne ndajmë inteligjencën me shumë agjenci, britanike, izraelite e kështu me radhë, por ishte inteligjenca jonë që na motivoi të vepronim”, tha zëvendëspresidenti.
Vance shpjegon se SHBA-të identifikuan se “Irani po prodhonte uranium shumë të pasuruar që ishte në përputhje vetëm me dëshirën e tyre për të ndërtuar një armë bërthamore” dhe ndërsa “sigurisht që ekziston një pyetje e hapur nëse ata ishin javë larg apo nëse ishin muaj larg… ata ishin shumë afër një arme bërthamore”.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së thekson se, megjithëse SHBA-të mendonin se bisedimet bërthamore me Iranin ishin disi produktive në mars, deri në mesin e majit, “iranianët dukeshin se po pengonin” negociatat, gjë që ishte “në të vërtetë ajo që fshihej këtu… iranianët ndaluan negociatat me mirëbesim, dhe ky ishte katalizatori i vërtetë” për të marrë vendimin për të sulmuar.
I pyetur nëse SHBA-të do të mbështesnin një vrasje izraelite të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, Vance thotë se një veprim i tillë “varet nga izraelitët” dhe përsëriti se qëndrimi i SHBA-së është “ne nuk duam një ndryshim regjimi”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




