Sejko takon përfaqësues të BB: Transaksionet e para ndërkufitare SEPA pritet të realizohen në tetor 2025

Ekonomi | 1 vit më parë

Guvernatori Gent Sejko priti në takim përfaqësues të Bankës Botërore në Shqipëri, Richard Record dhe Massimiliano Paolucci.

Në krye të takimit, z. Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj janë në një trend pozitiv zhvillimi. Lidhur me aktivitetin ekonomik, guvernatori u tha se inflacioni është në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare kanë qenë të qeta dhe kreditimi për sektorin privat ka shënuar rritje.

Nga ana e tij, z. Paolucci vlerësoi politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, menaxhimin e raportit të kredive me probleme si dhe reformat e ndërmarra në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe atë të çmimeve.

Modernizimi i sistemeve të pagesave në Shqipëri, si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të integrimit financiar të vendit me tregun evropian ishte një tjetër temë me rëndësi që u diskutua.

Sejko tha se Banka e Shqipërisë, me asistencën e Bankës Botërore, ka ndërmarrë hapa konkretë për të harmonizuar kuadrin rregullator me standardet evropiane, duke u anëtarësuar me sukses në Tregun Unik të Pagesave në Euro, ku transaksionet e para ndërkufitare SEPA pritet të realizohen në fillim të muajit tetor 2025.

Paolucci përgëzoi Bankën e Shqipërisë për punën e realizuar për anëtarësimin e suksesshëm të vendit në SEPA dhe shtoi se përtej përfitimeve për qytetarët, bizneset dhe ekonominë në tërësi, ky anëtarësim krijon parakushtet e nevojshme për përgatitjen e Shqipërisë për integrimin e plotë në BE.

Në fund të takimit palët ranë dakord që të vijohet më tej me përmirësimin e kuadrit rregullativ të sistemit financiar, ku përfaqësuesit e BB-së shprehën gatishmërinë për asistencë të mëtejshme.

Gazetar: Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme