Sllovenia drejt referendumit për qëndrimin apo jo në NATO, presidentja Musar apelon për përgjegjshmëri

Rajon | 1 vit më parë

Presidentja sllovene Natasha Pirc Musar u ka bërë thirrje palëve politike të tregohen të përgjegjshme pas vendimit të parlamentit për ta hedhur në referendum çështjen e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen dhe daljen nga NATO-ja.

Të premten deputetët mbështetën idenë e një referendumi këshillues për sa i përket rritjes së buxhetit të mbrojtjes sipas kritereve të aleancës ushtarake pas samitit të 24 qershorit, ku u vendos që pjesëtarët e NATO-s të parashikojnë të paktën 5 për qind të buxhetit të tyre për qëllime ushtarake deri në vitin 2035.

Nisma për referendumin u hodh nga Partia e Majtë, e cila është partnere e koalicionit qeverisës, dhe u mbështet nga opozitarët konservatorë, ndërsa partia Lëvizja për Liri e kryeministrit Robert Golob votoi kundër. Pasi nuk arriti rezultatin që pritej, vetë z. Golob propozoi një referendum për qëndrimin apo jo në NATO.

“Ka vetëm dy zgjidhje: ose të qëndrojmë në NATO dhe paguajmë për anëtarësimin, ose të largohemi nga aleanca. Të gjitha të tjerat janë mashtrime populiste me qytetarët e Sllovenisë,” tha z. Golob.

Referendumi është parashikuar për javën tjetër dhe pyetja që do të bëhet është nëse votuesit janë dakord që në vitin 2030 të kalojnë 3 për qind të prodhimit të brendshë bruto për mbrojtjen ose rreth 2,1 miliardë euro.

Sllovenia është ndër vendet e pakëta që nuk arritën të shpenzonin as 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen si pjesëtarë të NATO-s, megjithëse qeveria sllovene ka thënë se ky objektiv do të arrihej në fund të vitit 2025.

Kreu i konservatorëve, Janez Jansha, ka thënë se rezultati i referendumit duhet parë edhe si një mbështetje ose refuzim i qeverisë së drejtuar nga z. Golob.

Presidentja Musar ka njoftuar se do të mbajë një takim sqarues me kryeministrin e Sllovenisë, “për të folur hapur rreth asa që po ndodh në të vërtetë prapa skenave”. /Euractiv, SE

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme