Guvernatori Sejko takon ambasadorin e ri të Spanjës, rritje e bashkëpunimit me Spanjën si partner strategjik
Zbatimi i reformave ekonomike e strukturore nga Shqipëria do të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Spanjën si partner strategjik, në fushën e marrëdhënieve tregtare dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Kjo u theksua në takimin që guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi me ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.
Guvernatori Sejko i prezantoi ambasadorit panoramën ekonomike të vendit, duke u shprehur se ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar janë në një trend pozitiv zhvillimi.
Ambasadori spanjoll vlerësoi veçanërisht politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë në drejtim të objektivit të saj kryesor, ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve. Ai theksoi se nëpërmjet politikës së saj monetare, Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit në objektiv, duke siguruar njëkohësisht një ambient financiar të shëndetshëm e kreditim të bollshëm.
Në vijim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur progresin e bërë në fushën e turizmit dhe potencialin e zhvillimit të tij si promotor i zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë drejtim edhe sektori bankar ka dhënë kontributin e tij nëpërmjet rritjes së vëmendjes dhe financimit të turizmit.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




