BE në orët e fundit të negociatave me SHBA-në për tarifat, Trump kërcënon me taksa të reja

Financë | 1 vit më parë

Negociatat mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara mbi tarifat tregtare kanë hyrë në “lojën përfundimtare”, teksa afati i 9 korrikut për një marrëveshje në parim po afron me shpejtësi. Në të njëjtën kohë, tensionet tregtare po shtohen edhe me grupin e vendeve BRICS, pas kërcënimeve të fundit të Presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave shtesë.

Orët kritike në Bruksel dhe telefonata Von der Leyen-Trump

Coreper II, takimi i përfaqësuesve të përhershëm të 27 vendeve anëtare të BE-së, u mblodh sot në orën 17:30 për të diskutuar gjendjen aktuale të bisedimeve me SHBA-në. Takimi po mbahet në një format të kufizuar, duke theksuar rëndësinë dhe urgjencën e situatës.

Dje, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin Donald Trump, e cila u cilësua nga një zëdhënës i Komisionit Evropian si një “shkëmbim i mirë”. “Tani jemi në fillim të lojës përfundimtare dhe për të pasur pozicionin më të mirë në negociata nuk mund të themi më shumë,” shtoi zëdhënësi, duke theksuar se BE po përpiqet të arrijë “marrëveshjen më të mirë të mundshme me SHBA-në”.

Lidhur me një zgjatje të mundshme të afatit deri më 1 gusht, zëdhënësi i Komisionit i referoi pyetjet Uashingtonit, duke konfirmuar se fokusi i tyre mbetet te arritja e një marrëveshjeje në parim deri më 9 korrik. Komisioni konfirmoi gjithashtu se është në kontakt të vazhdueshëm me Shtetet Anëtare, por nuk do të ketë konsultime të tjera derisa të ketë përparim të prekshëm.

Kancelari gjerman Friedrich Merz zhvilloi gjithashtu biseda telefonike me Von der Leyen, Presidentin francez, Emmanuel Macron dhe Kryeministren italiane, Giorgia Meloni gjatë fundjavës, duke theksuar se “faktori kohë është me rëndësi të madhe”. “Negociatat po zhvillohen në kontakt të ngushtë me partnerët evropianë,” shpjegoi zëdhënësi i Merz, Stefan Kornelius.

Kërcënimet e Trump ndaj BRICS dhe reagimet ndërkombëtare

Në anën tjetër të globit, Presidenti Donald Trump konfirmoi në platformën e tij sociale Truth se sot në orën 18:00 do të fillojë dërgimin e letrave të para mbi tarifat dhe marrëveshjet tregtare, duke përfshirë kërcënime për vendosjen e tarifave shtesë prej 10% për vendet që mbështesin politikat e grupit BRICS. Trump theksoi se “nuk do të ketë përjashtime.”

Udhëheqësit e BRICS, të mbledhur në Rio de Janeiro, dënuan menjëherë tarifat “pa dallim” të importit të vendosura nga Presidenti i SHBA-së dhe sulmet e fundit SHBA-Izrael ndaj Iranit. Deklarata e përbashkët e bllokut – i cili përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, si dhe gjashtë vende të tjera në zhvillim – shprehu “shqetësime serioze në lidhje me rritjen e masave të njëanshme tarifore” dhe theksoi se tarifat rrezikojnë të dëmtojnë ekonominë globale.

Pekini dhe Kremlini reaguan menjëherë ndaj kërcënimeve të Trump. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, siguroi se BRICS nuk synon “asnjë lloj përballjeje”, duke përsëritur qëndrimin e Kinës se “luftërat tregtare dhe tarifore nuk kanë fitues dhe proteksionizmi nuk ofron rrugëdalje”. Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, theksoi se bashkëpunimi brenda BRICS “nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë i drejtuar kundër ndonjë vendi të tretë.”

Situata tregtare ndërkombëtare mbetet e tensionuar, me SHBA-në që po ushtron presion ndaj aleatëve dhe bllokut BRICS. Mbetet të shihet nëse BE do të arrijë një marrëveshje me SHBA-në para afatit të 9 korrikut dhe si do të ndikojnë kërcënimet e Trump ndaj ekonomive të lidhura me BRICS në tregtinë globale. ANSA

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme