Trump njofton tarifat ndaj 14 shteteve, Serbia më e goditura nga lista me dy vende të Ballkanit

Amerikë | 1 vit më parë

Serbia është ndër më të goditurat nga dy vendet e Ballkanit Perëndimor në listën e 14 shteteve ndaj importeve të të cilave presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar tarifa që shkojnë deri në masën 40 për qind.

Nga data 1 gusht, eksportet serbe drejt Shteteve të Bashkuara do të përballen me një tarifë prej 35 për qind.

Në një letër dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe që u publikua në platformën Truth Social, Trump i kujtoi z. Vuçiç se marrëdhënia tregtare mes dy vendeve kishte qenë joreciproke, duke e paralajmëruar se nëse Serbia do të vendoste t’i kundërpërgjigjej tarifës së re amerikane duke vendosur edhe ajo tarifa, SHBA-ja do të reagojë me tarifa të tjera me të njëjtat përmasa, që do t’i shtoheshin 35-përqindëshit fillestar.

Një letër të ngjashme presidenti amerikan i dërgoi edhe kryesueses së radhës të presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, pasi vendosi që mallrat e këtij vendi do të tatohen me 30 për qind në momentin që hyjnë në territorin amerikan.

Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina janë mes shumë shteteve, tarifat e të cilave u pezulluan në muajin prill për t’iu lënë vend negociatave, megjithatë presidenti amerikan sërish la të kuptohej se caktimi i datës 1 gusht për nisjen e zbatimit të tarifave ndaj 14 shteteve – të cilat i njoftoi për masën një ditë më parë – nuk ishte përfundimtar.

“Do të thoja [që jam] i vendosur, por jo 100 për qind i tillë. Nëse telefonojnë dhe thonë se duan të bëjnë diçka ndryshe, jemi të hapur,” u shpreh Trump për gazetarët kur u pyet nëse data 1 gusht ishte një afat përfundimisht i vendosur.

Në letrën dërguar udhëheqësve të Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe 12 shteteve të tjera, presidenti amerikan nënvizon faktin se ndaj këtyre shteteve nuk do të ketë tarifa nëse ato ose kompanitë e tyre vendosin të ndërtojnë apo të prodhojnë produkte brenda territorit amerikan, si dhe shkruan që tarifat mund të modifikohen, ngrihen apo ulen në varësi të marrëdhënies së SHBA-së me këto vende.

Letra të ngjashme presidenti amerikan pritet t’u dërgojë në ditët e ardhshme edhe vendeve të tjera. Kur Trump njoftoi fillimisht tarifat në muajin prill, tregjet financiare u tronditën, çka bëri që presidenti amerikan të pezullonte disa nga tarifat më të larta për t’iu lënë vend bisedimeve, por ndërkohë la në fuqi tarifën universale prej 10 për qind ndaj të gjitha importeve që hyjnë në SHBA.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme