Kuvendi i Kosovës në dorën e Kushtetueses – Pas dështimit të konstituimit, hyn në fuqi masa e përkohshme
Në Kosovë ka hyrë në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e cila ua ndalon deputetëve të zgjedhur çdo veprim, apo vendim për konstituim të Kuvendit deri me datën 8 gusht 2025. Deputetët patën të shtunën mundësinë e fundit që ta konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit të përcaktuar nga kjo gjykatë, ndërsa ky institucion urdhëroi ligjvënësit që të konstituojnë Kuvendin brenda një afati kohor prej 30-ditësh.
Të shtunën deputetët u mblodhën dy herë, por seanca e 54-të përfundoi pa sukses, ndërsa partitë opozitare akuzuan Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
“Asnjë tentim të zgjedhje, asnjë reflektim për pasojat, asnjë empati për qytetarët, përkundër këshillës së qartë të Kushtetueses për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe partisë së tij, ka qenë edhe më e madhe se sa përgjegjësia e kërkuar, më e madhe bile se shteti dhe demokracia dhe nga sot Kosova po ecën në një terren të rrezikshëm kushtetuese, institucional dhe shoqëror, në një zonë grim, ku shteti nuk ka më busull… Ky është rrezik real për shpërbërjen e funksionalitetit të shtetit tonë.”, thya Memli Krasniqi, Kreu i PDK-së.
“Unë besoj se në politikë jemi të gjithë kalimtarë. Lëmë shenja aty-këtu, dikush më shumë, dikush më pak. Por e them me bindje se refuzimi për të validuar një politikë të tillë, refuzimi për bashkëpunuar me politikën e Albin Kurtit, sot përfaqëson është një nga vendimet më kombëtare që kemi marrë ne si LDK’’, tha Lumir Abdixhiku, Kreu i LDK-së.
“Tani jemi në një realitet të ri, i cili do të vendoset përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e unë shpresoj se Gjykata Kushtetuese do të merr interesin publik dhe të ndihmojë sa më shpejt të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës”, tha Fatmir limaj, Kreu i Nismës Socialdemokrate.
Ndërsa Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati nuk foli mbi arsyen se pse nuk pati marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, duke ia lënë fjalën Limajt. Ai tha se deputetëve nuk iu dha mundësia për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryeparlamentarit.
“Tani është hipotetike të thuhet sa, sepse nuk është testuar asnjëherë. Po të testohej së paku një herë, do ta shihnim, nëse do të kishte rezultat pozitiv, do të vazhdonim tutje me zgjedhjen e kryesisë dhe do të ishte punë e kryer kjo.”, tha Hekuran Murati, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas dështimit të krijimit të komisionit për votimin e fshehtë, kryesuesin i seancës Avni Dehari tha se do të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




