Turneu në Preshevë, Gjimshiti: Nismë domethënëse për zhvillimin e futbollit në këtë zonë

Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti ka përshëndetur përmes një video-mesazhi turneun e futbollit që po zhvillohet në Luginën e Preshevës dhe në Bujanoc.
Mbrojtësi shqiptar, me origjinë pikërisht nga kjo zonë vlerëson nismën e ndërmarrë dhe falënderon në veçanti FSHF-në dhe Presidentin Duka për mbështetjen që i kanë dhënë organizatorëve për zhvillimin e këtij turneu.
“Jam shumë i lumtur që në Luginën e Preshevës po zhvillohet ky turne futbolli për fëmijë, një nismë e bukur dhe shumë domethënëse për komunitetin dhe të ardhmen e futbollit në këtë zonë.
Dua të falënderoj së pari Federatën Shqiptare të Futbollit për mbështetjen që po i jep kësaj nisme dhe fëmijëve të Preshevës, duke mbështetur në çdo aspekt financiarisht aktivitetin. E vlerësoj shumë dhe e përgëzoj Presidentin Duka në veçanti.
Gjithashtu, falënderoj organizatorët për përkushtimin dhe të gjithë fëmijët pjesëmarrës për pasionin dhe entuziazmin.
Ju përshëndes me shumë dashuri dhe ju uroj suksese në çdo ndeshje e në çdo ëndërr tuajën” – thotë kapiteni Gjimshiti në fjalën e tij.
Sot është edhe dita e fundit e ndeshjeve të këtij turneu, ku do të përcaktohen edhe fituesit për çdo grupmoshë. Takimet finale do t’i ndjekë nga afër edhe Presidenti i Federatës, Armand Duka.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




