Veliaj pas komunikimit të akuzave nga SPAK: Asnjë shkelje në 12 vite drejtim, po ndëshkohem politikisht

Politikë | 1 vit më parë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet prej gjashtë muajsh në paraburgim në Durrës, i ka cilësuar akuzat e komunikuara nga SPAK, si “agjitacion e propagandë” të motivuar politikisht dhe pa prova.

Veliaj thotë se akuzat nuk lidhen me punën e tij si kryetar bashkie apo ministër, pasi sipas tij, në 12 vite drejtim nuk është gjetur asnjë shkelje ligjore në projektet e zhvilluara nga bashkia.

Veliaj akuzon SPAK-un për rrjedhje të qëllimshme të informacionit hetimor në media dhe për përfshirje të të afërmve të tij në hetim. Ai theksoi po përjeton një “vetting personal, familjar dhe fisnor” që nga viti 2004 deri më sot.

“Javën e kaluar, pesë agjentë të BKH-së mbërritën në IEVP Durrës për të më komunikuar akuzën, edhe pse kisha autorizuar avokatët ta merrnin dosjen në Tiranë. Një orë përpara mbërrijnë fillimisht mediat, të cilat njoftohen sistematikisht për spektaklin me të burgosurin 9216 – qartazi, as nga unë e as nga avokatët, se s’kishim dijeni për vizitën. Asnjë habi këtu! Prokurorët specialë sigurohen që çdo gjë të rrjedhë në disa media speciale para se ta dijë viktima, në shkelje flagrante ndaj sekretit hetimor, prezumimit të pafajësisë, Kushtetutës së vendit dhe të drejtave themelore të njeriut, kushdo qoftë njeriu e puna e tij.

Mora kohën të lexoja akuzën, e cila ishte copy-paste me kërkesën e paraburgimit, shto këtu përgjimet me familjen, të 9216-ës, nga telefoni i burgut dhe furgoni i burgut, ku pas tre ditëve maratonë për masën m’u desh të qetësoja familjen për këtë ndarje therëse prej tyre dhe qytetit, të cilin e dua dhe i shërbej. Këto shtesa të akuzave për “agjitacion e propagandë” në burg, shërbejnë vetëm për të theksuar se sa e dobët është akuza fillestare, sa të cekta provat, dhe sa në siklet duhet të ndihen prokurorët e mi për hetimin e tyre. Ata kanë prodhuar asgjë më shumë se sa një innuendo – thashetheme, letra anonime, fletë-rrufe, shpifje, sajesa e supozime për një thriller sherifash, të cilat jam i bindur se nuk do të qëndrojnë as në gjykatë.

Në finale të një vetting-u personal, familjar dhe fisnor, nga viti 2004 deri në 2025, dhe një persekutimi 2-vjeçar konkluzioni i akuzës qe ky: Nuk gjendet asnjë shkelje në 2 vjet ministër dhe 10 vjet kryetar bashkie. Pra, asgjë që lidhet me detyrat e mia si kryetar i zgjedhur 3 herë apo çështjet e super debatuara si këto më sipër. Dhe kur prapë nuk gjendet asgjë, i hapin dosje bashkëshortes, vëllait, nënës, vjehrrit të ndjerë, kushërinjve dhe gjithë fisit e rrethit shoqëror – të gjithë në punët e tyre private. Sot vetëm im bir është pa dosje, por kanë edhe 12 vjet kohë t’ia përgatisin, kur të kapë moshën madhore”, shkruan ndër të tjera Veliaj.

Gjithashtu Veliaj i drejton 7 pyetje SPAK, që sipas tij, mbeten pa përgjigje, mes të cilave konfliktet e interesit të prokurorëve, ndalimi i takimeve me avokatët ndërkombëtarë dhe arsyet e mbajtjes së tij në paraburgim pavarësisht se hetimi ka përfunduar.

“Por, teksa akuza s’ka asnjë lidhje me punën time në bashki e ministri, disa pyetje mbeten pa përgjigje:

1. Kush është Nesti Angoni dhe për sa politikanë me letra anonime është bërë ky vetting 20-vjeçar, si në rastin tim? A po përdoret ky hetim dhe persekutim mbi mua si një “eleminim politik”, për t’u kthyer në standard të ri për këdo që shënjestrohet?

2. Pse të gjitha gjyqtaret e zonja, të cilave u bie shorti për masën time në GJKKO, papritmas sëmuren dhe dorëhiqen? A ka koordinim prokurori-gjykatë për organizimin e këtij sulmi ndaj kryetarit të zgjedhur të bashkisë?

3. Pse nuk u hetua kurrë denigrimi mediatik nëpërmjet nxjerrjes së gjithë sekreteve hetimore në portalet pranë SPAK, ku dalloheshin qartësisht formatet dokumentare të prokurorëve, dhe jo ato që u jepen avokatëve? Kjo shkelje e rëndë e ligjit nuk mund të ndodhë pa dijeninë dhe aprovimin e SPAK.

4. A ka konflikt interesi kur njëri nga prokurorët ka shprehur haptazi një pakënaqësi për një leje ndërtimi që ka marrë nga bashkia? Në një shoqëri demokratike, a nuk duhet që çdo i pandehur të ketë të drejtën për një prokuror pa konflikt interesi?

5. Pse më ndalohen takimet me avokatët e mi ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen time për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, edhe pse Konventa Europiane – ku Shqipëria është palë – garanton qartë të drejtën themelore për t’u mbrojtur dhe zgjedhur lirisht përfaqësim ligjor?

6. A u hetua ndonjëherë dhuna 1-vjeçare, me molotovë e zjarr, përpara Bashkisë së Tiranës, e kryer nga individë të maskuar që, sipas raportimeve, transportoheshin nga rrethe të tjera? Kush e koordinoi dhunën që të përkonte me vetting-un tim të paligjshëm? Kush e financoi për 45 javë?

7. Nëse hetimi ka përfunduar, përse vazhdoj të mbahem në paraburgim – larg familjes sime dhe qytetit, të cilit i shërbej? A do të kishte kuptim që unë – Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës – të arratisesha, kur kam lidhje kaq të ngushta familjare, politike dhe shoqërore në Tiranë dhe jam kthyer disa herë në Shqipëri nga jashtë vendit, duke e ditur se kam qenë objekt i këtij hetimi penal? A ka vërtet kuptim që, si Kryetar Bashkie në mandatin e tretë, të kryeja vepra të rënda penale, duke qenë në liri me kusht dhe duke e ditur se jam nën një vëzhgim dhe kontroll të paprecedentë? Unë kam pasur një të shkuar të pastër deri në këtë persekutim, dhe aktualisht gëzoj besimin dhe mbështetjen dërrmuese të shumicës së qytetarëve të Tiranës – pra, a nuk është thjesht e çuditshme të mendohet se do të kryeja vepra të tjera penale? Në fakt, kur pata mundësinë t’u shërbeja qytetarëve të Tiranës, qyteti u transformua rrënjësisht.

Nëse SPAK-u nuk u përgjigjet dot në një mënyrë të besueshme dhe legjitime këtyre 7 pyetjeve, unë jo vetëm do t’i refuzoj akuzat e padenja, por do të vazhdoj të luftoj për atë që është e drejtë, dhe nuk do të lejoj që, këto abuzime të rënda me pushtetin të vazhdojnë pa i denoncuar ato, bashkë me dëmin që u kanë shkaktuar qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë”, shkruan Veliaj.

Më herët, SPAK ka marrë të pandehur zyrtarisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxën, ku janë hetuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme