Vihet nën kontroll zjarri në Poliçan. Situatë e rrezikshme në Gjinoqarë të Patosit, kryeplaku: Duhet ndërhyrë vetëm nga ajri
Një zjarr i përmasave të mëdha që vuri në alarm autoritetet e qarkut të Beratit, për shkak të afrimit në një zonë me lëndë plasëse, u arrit të kufizohet në orët e para të së enjtes.
Flakët u përhapën pasditen e djeshme pranë uzinës së armëve në qytetin e Poliçanit, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta. Fatmirësisht zjarri devijoi drejt zonës malore, larg depove të armatimit.
Për shuarjen e zjarrit mësohet se angazhuan helikopter dhe mjete zjarrfikëse nga repartet e Beratit, Skraparit dhe Poliçanit, duke bërë të mundur kontrollin e tyre pas mesnatës, pa rrezikuar zonën.
Momentalisht situata vazhdon të mbahet nën vëzhgim nga zjarrfikësit e terrenit, pasi vatrat e vjetra vijojnë të lëshojnë tym.

Më aktive paraqiten zjarret në fshatin Gjinoqarë dhe Drenie të Patosit, si dhe në fshatin Lofkënd të Mallakastrës. Ato nisën të përparojnë mesditën e së mërkurës prej erës së fortë, ndërsa vendndodhja me një shumësi pishash e ka vështirësuar punën e zjarrfikësve.

Gazetarja Laureta Roshi raporton për RTSH se 50 forca zjarrfikëse janë duke u përpjekur të eliminojnë vatrat e zjarrit mes qilimit halor shumëvjeçar dhe terrenit të thyer malor. Sipas burimeve nga Emergjencat Civile të Prefekturës Fier, dëmi i deritanishëm llogaritet në gati 5 hektarë pyje me pisha të djegura.
“Zjarret e ndezura këtu janë një katastrofë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Është një gabim i rëndë. Ne nuk kemi mundësi të ndërhyjmë, sepse terreni këtu është shumë i vështirë. Ka 50 vjet pa u vënë dora te pylli. Në rast se natyra, era mund të ndryshojë drejtim, ne kemi frikën e fshatrave, se e shohim që është e pamundur ndërhyrja me forca këmbësore. Lartësia e flakës mund të jetë 30 metra. Kjo do vetëm ndërhyrje nga ajri. Nëse nuk na mbështesin nga ajri do të kemi një katastrofë,” thotë kryeplaku i fshatit Gjinoqarë, Nuri Gllava.
Pjesa lindore e pyllit u dogj edhe dy vite më parë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




