Fondi sovran norvegjez largohet nga Izraeli pas kërkesave nga publiku

Fondi sovran i pasurisë i Norvegjisë, një nga fondet më të mëdha në botë, ka njoftuar shitje të mëtejshme të aksioneve në kompanitë izraelite. Kjo masë vjen pas një presioni të madh nga opinioni publik norvegjez, i cili ka vënë në dyshim investimet e fondit që besohet se përfitojnë nga situata në Gaza dhe territoret e tjera palestineze.
Nicolai Tangen, Drejtor Ekzekutiv i Norge Bank Investment Management, konfirmoi se fondi ka hequr dorë nga 11 kompani izraelite dhe se priten shitje të tjera në të ardhmen.
“Kemi një proces rigoroz në zhvillim e sipër, në të cilin bashkëpunojmë ngushtë me bordin tonë të etikës dhe presim shitje të mëtejshme të kapitalit nga kompani specifike në të ardhmen,” tha ai në një intervistë për ANSA.
Ky vendim, ndryshe nga ai për Rusinë në vitin 2022, nuk u mor pas një mandati politik nga qeveria, por është një iniciativë e vetë fondit. Trond Grande, zëvendësdrejtor ekzekutiv i fondit, shpjegoi se kjo masë synon të thjeshtojë portofolin e investimeve për një monitorim më të lehtë. Përveç shitjes së aksioneve, fondi ka vendosur të marrë kontrollin e drejtpërdrejtë nga Oslo të të gjitha investimeve në Izrael, duke mos përdorur më konsulentë të jashtëm.
Këshilli i etikës, një ent i pavarur, është përgjegjës për të monitoruar të gjithë portofolin global prej 2 trilion dollarësh, duke siguruar që investimet të jenë në përputhje me kodin e tyre etik. Pavarësisht situatës, theksi u vendos te ruajtja e besimit të popullit norvegjez, pasi fondi menaxhon paratë e tyre. ANSA
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




