30 ditë afat për konstituimin e Kuvendit, deputetët e Kosovës mblidhen të mërkurën

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të mërkurën (20 gusht), në orën 11:00, për të vazhduar seancën konstituive të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Kjo vjen një ditë pas nisjes së afatit prej 30 ditësh të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pasi ditën e djeshme (18 gusht) u publikua aktgjykimi i plotë.
Gjykata Kushtetuese kërkon nga deputetët që të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes një votimi të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, një kandidat për kryetar të Kuvendit nuk mund të votohet më shumë se 3 herë, nëse nuk arrin të marrë votat e nevojshme.
Gjithashtu, ky vendim detyron të gjithë deputetët e zgjedhur që të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.
Partitë politike në Kosovë kanë reaguar pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës, ku partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje pretendon për një vendim “të padrejtë”. Nga ana tjetër, PDK dhe LDK kanë mirëpritur vendimin, duke e cilësuar atë si “të prerë dhe të detyrueshëm”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




