KQZ nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Vendimi u mor pas votimit ku rezultati ishte: dy vota pro, dy kundër dhe shtatë abstenime.
Pro votuan kryetari Kreshnik Radoniqi dhe përfaqësuesja e Listës Serbe, ndërsa kundër votuan dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje. Anëtarët e partive të tjera vendosën të abstenonin.
Kundërshtimi kryesor erdhi nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët deklaruan se disa kandidatë të Listës Serbe janë nën hetime për sulme në Kosovë dhe se kjo parti ka “trashëgimi terroriste”.
“Ne e kemi një parti politike që ka një trashëgimi terroriste. Përveç kësaj ka elemente të tjera, persona që kanë marrë pjesë edhe në sulme terroriste edhe në sulme të ndryshme. Tash i kemi edhe veprimet e institucioneve për ndjekje penale. Në mesin e tyre kemi persona që në të vërtetë në mënyrë subversive punojnë kundër Republikës së Kosovës”, deklaroi anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi.
PDK abstenoi duke thënë se certifikimi duhet të mbështetet në informacione zyrtare nga institucionet e sigurisë. Edhe LDK dhe AAK shprehën të njëjtin qëndrim, duke theksuar se KQZ nuk është organi që vendos nëse një subjekt është terrorist apo jo, por kjo është detyrë e institucioneve të sigurisë.
“Si përfaqësues i PDK-së abstenojmë nga votimi për certifikimin e Listës Serbe me këta kandidatë, duke marrë parasysh këto informata por edhe gjithë ato diskutime që janë bërë tash e sa kohë. Është dashur që këto informata të pranohen në mënyrë institucionale. Ne si PDK abstenojmë nga certifikimi, nuk jemi për certifikim. Abstenojmë nga votimi përderisa nuk kemi veprime nga institucionet e sigurisë, të cilat na tregojnë rrugën që duhet ndiqet për këtë parti”, u shpreh përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




