Konferenca ndërqeveritare me BE më 16 shtator, Rama: Hapim edhe 4 kapituj të tjerë, rekord në shpejtësi
Konferenca e radhës Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të mbahet më 16 shtator, ku do të hapen edhe 4 kapituj të rinj të negociatave për anëtarësim.
Kryeministri Edi Rama thekson se ftesa për hapjen e kapitujve u bë nga Presidenca Daneze e Bashkimit Europian, në prani të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare.
Këto i shtohen 24 kapitujve të hapur brenda 11 muajve të fundit, ku sipas Ramës, përbën një rekord absolut për shpejtësinë e procesit negociator. Fokusi i këtyre kapitujve do të jetë transporti, energjia, mjedisi etj.
“Tjetër lajm i mirë – Shqipëria nuk ndalet. Të martën, date 16 shtator, Presidenca Daneze e BE-se na fton që në praninë e Ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare, të hapim edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim, të cilët u shtohen 24 kapitujve që kemi hapur në vetëm 11 muaj – një rekord absolut për shpejtësinë e një procesi negociatash.
Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme, mbi fusha të rëndësisë jetike, si Transporti, Energjia, Rrjetet Transeuropiane dhe Mjedisi, janë tanimë në tryezë. U vendos edhe tjetër gur kilometrik në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE”, shkruan Rama.
Më herët kryeministri ka nënvizuar rolin e inteligjencës artificiale në përshpejtimin e procesit, duke theksuar se ndërsa vendeve të tjera iu deshën vite për të përfunduar fazën “screening” të përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së, Shqipëria ia ka dalë në një kohë rekord.
Edhe deputetja dhe ministrja e propozuar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali e ka cilësuar këtë hap një “tjetër moment të rëndësishëm në kalendarin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Evropës”.
“Shqipëria 2030 nuk është thjesht një objektiv ambicioz, por plani real e konkret i një skuadre që kërkon të ulet me dinjitet në zemër të Evropës”, shkruan Spiropali.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




