“Paqja Fiskale” 2026-2029, qeveria do të falë detyrimet tatimore mbi 10-vjeçare. Publikohet paketa lehtësuese për biznesin

Ekonomi | 1 vit më parë

Kuvendi ka miratuar programin e ri qeveritar, i cili përfshin nismën e shumëdiskutuar “Paqja Fiskale” për periudhën 2026-2029. Kjo nismë parashikon faljen e të gjitha detyrimeve tatimore të krijuara më shumë se 10 vjet më parë. Për borxhet e akumuluara gjatë 10 viteve të fundit, do të zbatohet një skemë e re ripagimi me përqindje të reduktuara.

Qeveria e re e ka cilësuar këtë hap si një “kapitull të ri bashkëpunimi me sipërmarrjen shqiptare”. Qëllimi kryesor është krijimi i një klime të re besimi dhe transparence me administratën tatimore, duke i dhënë mundësi çdo biznesi dhe individi të mbyllë çështjet e së kaluarës dhe të nisë një marrëdhënie të re, pa stres dhe me më pak kontrolle.

Dokumenti qeveritar thekson një sërë arritjesh ekonomike, duke përmendur rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbi 25 miliardë euro dhe trefishimin e të ardhurave për frymë në 10,342 euro. Papunësia ka rënë në 8.8%, ndërsa paga mesatare është rritur në 830 euro.

Programi parashikon arritjen e objektivave të mëtejshme si:

Rritja e të ardhurave për frymë

Synohet që të ardhurat për frymë të rriten me rreth 40%, duke arritur në 15,000 euro deri në vitin 2029.

Rritja Ekonomike

Ekonomia do të vazhdojë të rritet me rreth 4% në vit, duke e çuar PBB-në në 35 miliardë euro.

Borxhi Publik

Do të vijojë konsolidimi fiskal me qëllim uljen graduale të borxhit publik.

Politika Fiskale

Do të vazhdojë zbatimi i taksës 0% për bizneset e vogla deri në 2029, ndërsa do të rriten të ardhurat tatimore me mbi 30 miliardë lekë në vit përmes zgjerimit të bazës tatimore dhe digjitalizimit, pa rritur barrën fiskale.

Investimet

Qeveria do të mobilizojë mbi 2 miliardë euro kredi dhe garanci për bizneset, me qëllim nxitjen e prodhimit dhe investimeve vendase.

Programi gjithashtu parashikon reforma të tjera, si përafërimi i plotë i legjislacionit tatimor dhe doganor me direktivat e BE-së, reforma e taksës mbi pronën, dhe krijimi i një Këshilli Fiskal si institucion i pavarur për të vlerësuar qëndrueshmërinë e financave publike.

Paketa lehtësuese për biznesin

Programi i ri qeverisës për vitet 2025-2029 premton një sërë politikash të reja dhe nisma lehtësuese me qëllim forcimin e ekonomisë, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përafrimin me tregun e Bashkimit Evropian.

Qeveria parashikon të mobilizojë mbi 2 miliardë euro kredi dhe garanci për bizneset, me qëllim rritjen e investimeve dhe prodhimit vendas. Kjo do të realizohet nëpërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Shqiptare të Zhvillimit. Një tjetër nismë kyçe është “Paketa e Maleve”, e cila synon të stimulojë investimet në zonat malore duke ofruar taksë zero dhe TVSH zero për 10 vitet e para për 500 sipërmarrësit e parë përfitues.

Përveç lehtësirave, programi përfshin reforma strukturore si:

Përafrimi ligjor me BE-në

Të gjitha ligjet do të përafrohen me standardet e BE-së për mbrojtjen e patentave, markave dhe të drejtave të autorit, duke garantuar një klimë të sigurt investimi.

Strategjia e specializimit inteligjent

Me një buxhet prej 1.18 miliardë eurosh, kjo strategji do të orientojë fondet drejt sektorëve me avantazh konkurrues për të nxitur rritjen e qëndrueshme dhe projektet inovative.

Nxitja e eksporteve

Do të miratohet Programi Kombëtar për Mbështetjen e Biznesit në Tregun Unik Evropian, duke ofruar asistencë për eksportuesit shqiptarë.

Reforma e Inspektorateve

I gjithë sistemi i inspektorateve do të riorganizohet për t’u bërë më transparent dhe miqësor me biznesin, duke shmangur abuzimet dhe kontrollet e panevojshme.

Mbrojtja e konsumatorit

Një kuadër i ri ligjor do të forcojë mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurinë e produkteve.

Qeveria thekson se këto politika do të ndërtohen mbi arritjet e mëparshme, si eliminimi i taksës për 90% të bizneseve të vogla, digjitalizimi i shërbimeve publike dhe integrimi në zonën e pagesave evropiane SEPA, që kanë ulur ndjeshëm kostot dhe burokracinë për sipërmarrjen shqiptare.

“Paketa e Maleve”, taksë zero dhe TVSH zero për 10 vitet e para

Në kuadër të programit të ri qeveritar për periudhën 2025-2029, është prezantuar një nismë e re e veçantë, e njohur si “Paketa e Maleve”. Kjo paketë, e krijuar për të nxitur zhvillimin ekonomik në zonat malore të vendit, synon të tërheqë investitorë duke ofruar stimuj të konsiderueshëm fiskalë.

Nisma parashikon që 500 sipërmarrësit e parë që do të përfitojnë nga kjo paketë do të kenë taksë zero dhe TVSH zero për 10 vitet e para. Përveç lehtësirave financiare, paketa synon të lehtësojë procedurat administrative, si marrja e lejeve të ndërtimit dhe zgjidhja e çështjeve të pronësisë për familjet e këtyre zonave.

Qëllimi i qeverisë është që të transformojë ekonominë në zonat malore, duke i kthyer ato në qendra tërheqëse për investime dhe turizëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme