Gjirokastër – Në ndihmë të familjeve në nevojë, mbështetje për mbi 250 gra të papuna
Në qarkun e Gjirokastrës, mbi 250 gra të papuna, kryefamiljare me tre ose më shumë fëmijë deri në moshën 18 vjeç, ku më i vogli nuk është më i madh se 5 vjeç, po përfitojnë nga shërbimi i pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Këtë e bëri të ditur drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror në Gjirokastër, Magdalena Margariti.
“Gratë e papuna, të cilat kanë mbi tre fëmijë, ose tre fëmijë, nga të cilët më i madhi deri në 18 vjeç dhe më i vogli 5 vjeç, me të ardhura minimale deri në 100 mijë lekë të rinj bruto në muaj… Ky proces nisi në vitin 2023, me rreth 150 aplikime gjatë atij viti. Deri në momentet që flasim ka shkuar diku te 250 gra. Kjo do t’i ndihmonte këto gra në rritjen e fëmijëve, duke u siguruar edhe një jetë më të qetë dhe një rritje më të kujdesshme për fëmijët e tyre,” tha znj. Margariti.
Aplikimet për këtë program mbështetjeje kryhen nëpërmjet platformës e-Albania.
“Të gjitha gratë që kanë aplikuar dhe kanë marrë një përgjigje refuzuese për shkak të mospërmbushjes së kritereve, ndoshta tani ka ardhur momenti që i kanë përmbushur ato dhe mund të aplikojnë përsëri për ta siguruar këtë përfitim. Mund të aplikojnë në platformën e-Albania,” u shpreh drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror.
Ky program synon të lehtësojë barrën ekonomike të grave kryefamiljare dhe të garantojë aksesin e tyre në shërbime bazë sociale e shëndetësore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




