Festivali i Këngës në RTSH, tradita që vazhdon të bëjë histori në muzikën shqiptare
Një nga ngjarjet më të rëndësishme të skenës muzikore shqiptare, Festivali i Këngës në RTSH, pritet të rikthehet për edicionin e tij të radhës me surpriza dhe emocione të reja.
Që prej vitit 1962, ky festival ka shërbyer si një platformë për promovimin e artistëve shqiptarë dhe që nga viti 2004 ai përcakton përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovision Song Contest.
I ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1, dirigjenti dhe maestro Jetmir Barbullushi foli për rëndësinë historike dhe kulturore të Festivalit të Këngës. Ai tha se në vitet e para, festivali ndiqej me emocion nga familjet shqiptare përmes radios dhe u bë një ngjarje themelore për krijimin e Orkestrës Simfonike shqiptare, falë pjesëmarrjes së mjeshtërve të mëdhenj të muzikës.
“Në atë kohë, festivalin e dëgjonim në radio në shtëpi të gjithë së bashku. Kanë qenë aktivitete të pakta dhe ndiqeshin me interes të jashtëzakonshëm. Dihet që muzika shqiptare kishte krijimtari, traditë dhe kishte ardhur koha që të kishim edhe ne një festival si ‘Sanremo’,” u shpreh dirigjenti.
Maestro Barbullushi ndau mendimet e tij edhe mbi rrugëtimin historik dhe artistik të Festivalit të Këngës në RTSH. Ai theksoi se në vitet para ’90-ës, festivali zhvillohej “dal vivo” dhe kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën kulturore të vendit. Barbullushi shtoi se pas viteve ’90, festivali kaloi një periudhë të vështirë, ku këngët regjistroheshin në studio dhe më pas arkivoheshin.
“Ka një lloj diference, sepse dihet se festivalet para viteve ’90 janë bërë “dal vivo” dhe në periudhat më pas festival kanë pasur një periudhë të vështirë dhe këngët filluan të regjistroheshin në studio dhe më pas këngët shkonin në arkiv. Sot festivali ka të gërshetuar me teknologjinë e kohës. Problemi në ecurinë e këngës është i ndërlikuar sepse duhet të kemi më shumë traditë dhe të trashëguar dhe mendoj se ka shumë material për të frymëzuar këngët,” u shpreh maestro.

Arkivi i RTSH-së është një nga pasuritë më të mëdha kulturore dhe historike të Shqipërisë. Ai përmban me mijëra orë materiale audio dhe audiovizive, të grumbulluara këto që me krijimin e Radio Tiranës në vitin 1938 dhe më pas me krijimin e Televizionit Shqiptar në vitin 1960.
Sipas Juliana Samarxhi, redaktore e materialeve arkivore në RTSH, ndër regjistrimet më të hershme të fonotekës janë ato të Tefta Tashko Koços, që datojnë nga vitet 1936–37.
“Një nga ngjarjet më të rëndësishme të Radio Televizionit Shqiptar është Festivali i Këngës. Festivali i Këngës e nis traditën në vitin 1962, kur është krijuar edhe Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar. Regjistrimet e festivaleve të para kanë qenë audio dhe janë transmetuar në linjë radiofonike. Pas viteve ’70 kanë qenë regjistrime audiovizive. Edhe emërtimet i kemi ‘Festivali i Këngës në Radio’ dhe më pas ‘Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar’. Të gjitha materialet audio dhe audiovizive të ndodhura në Arkivin e RTSH-së janë ekskluzivitet i këtij institucioni. Tashmë kemi 56 festivale të arkivuara me formatin shirit magnetik, qoftë edhe në CD. Festivalet më të fundit janë të arkivuara në server me pamje audiovizive,” tha redaktorja Samarxhi për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




