Erdogan dënon luftën e Izraelit në Gazë, e akuzon në OKB për gjenocid

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, ka akuzuar Izraelin se po kryen “gjenocid” në Gazë gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke shfaqur pamje të shkatërrimit në Gazë për të ilustruar pasojat e luftës.
Në një fjalim të fortë, Erdogan kritikoi ashpër veprimet ushtarake të Izraelit kundër Hamasit, duke i cilësuar ato si “pushtim, dëbim, mërgim, gjenocid dhe shkatërrim i jetës”.
“Një gjenocid po vazhdon në Gazë, edhe ndërsa ne jemi mbledhur këtu, njerëz të pafajshëm po vdesin,” deklaroi Erdogan para liderëve botërorë.
Ai argumentoi se situata në Gazë nuk mund të përshkruhet si një konflikt mes dy palëve, pasi “në njërën anë kemi një ushtri të rregullt me armët më moderne dhe vdekjeprurëse, dhe në anën tjetër kemi civilë të pafajshëm, fëmijë të pafajshëm. Kjo nuk është luftë kundër terrorizmit. Ky është një pushtim, dëbim, mërgim, gjenocid dhe shkatërrim i jetës”, theksoi Erdogan.
Lufta në Gaza filloi më 7 tetor 2023, kur Hamasi ndërmori një sulm masiv ndaj Izraelit, ku terroristët vranë rreth 1,200 persona, kryesisht civilë, dhe morën 251 pengje në Gaza.
Që atëherë, operacionet ushtarake të Izraelit kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha dhe humbje të konsiderueshme jetësh në Gazë, duke nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare.
Erdogan dënoi gjithashtu veprimet e Izraelit në Bregun Perëndimor, “ku Hamasi nuk është në pushtet”, si dhe sulmet ndaj Sirisë, Iranit, Jemenit dhe Libanit. Ai kritikoi një sulm të fundit izraelit në Katar, i cili synonte, por nuk arriti të eliminonte udhëheqjen e Hamasit.
Sipas presidentit turk, këto veprime tregojnë se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu “nuk është i interesuar të ndërtojë paqe apo të lirojë pengjet”.
“Jo vetëm fqinjët e Izraelit, por të gjitha vendet e Lindjes së Mesme janë subjekt i kërcënimeve të pamatura të qeverisë izraelite,” tha ai, duke akuzuar Izraelin se po kërcënon “vlerat që u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore”.
Erdogan shkoi deri aty sa fajësoi Izraelin për “braktisjen e të drejtave themelore të njeriut” në mbarë botën, duke e cilësuar luftën në Gazë si një shkelje të parimeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe një kërcënim për rendin global.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




