Fushata e vaksinimit antigrip – Rama thirrje pensionistëve: Vaksinohuni për veten dhe familjen

Sociale | 1 vit më parë

Prej datës 22 shtator ka nisur zyrtarisht fushata e vaksinimit antigrip në Shqipëri, me shpërndarjen e rreth 280 mijë dozave në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit.

Të parët që kanë reaguar ndaj nismës kanë qenë të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, të cilët e vlerësojnë vaksinën si një mbrojtje të domosdoshme në prag të sezonit të virozave.

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për vaksinim, duke ndarë apelin e disa të moshuarve që inkurajojnë qytetarët të marrin dozën e vaksinës.

“Të moshuarit ju ftojnë të vaksinoheni, për veten, për familjen, për jetën. Rezervoni datën dhe orën për veten dhe fëmijët nëpërmjet e-Albania,” u shpreh Rama.

Të moshuarit shprehen pozitivisht për fushatën, duke theksuar rëndësinë e kujdesit mjekësor.

“Është pozitive që njerëzit i përgjigjen kujdesit që ka personeli mjekësor për shëndetin tonë,” tha një qytetar.

Një tjetër shtoi se “Kam mbi 10 vite që vaksinohem dhe sapo mora njoftim nga mjeku, u paraqita menjëherë. Jam i bindur se bëj mirë.”

“Njoftimin e mora nga infermierja e familjes. Vaksinën e bëjmë rregullisht dhe, për shkak të interesit tim personal, marr gjithmonë njoftim nga stafi mjekësor.”

Mjekët vijojnë të apelojnë për vaksinim të gjerë, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes personale dhe të familjes, si dhe duke ftuar prindërit të vaksinojnë fëmijët e tyre.

Vaksinimi ndaj gripit po shënon ritme të shpejta të përthithjes në të gjitha qendrat shëndetësore në vend.

Grupmoshat mbi 60 vjeç janë personat më të interesuar dhe më të përgjegjshëm ndaj thirrjeve të autoriteteve shëndetësore për t’u mbrotur veten ndaj infeksionit gripal gjatë periudhës së dimrit.

Falë përfitimeve shëndetësore ndër vite nga vaksina kundër gripit, ata vetë ftojnë të tjerët, hezituesit apo indiferentët të mbrojnë veten.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme