Metodologjia e studimeve të fizibilitetit, udhëzimi i ri i ministrit të Financave për investimet publike

Një udhëzim i ri i Ministrit të Financave ka përcaktuar rregulla të reja për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit, të cilat janë thelbësore për vlerësimin e projekteve të investimeve publike në Shqipëri, përpara se të përfshihen në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare dhe procesin e buxhetimit.
Udhëzimi bën një ndarje të qartë të kërkesave për studime bazuar në vlerën e plotë të projektit.
Qëllimi i këtij udhëzimi është harmonizimi i praktikave me standardet ndërkombëtare, veçanërisht me Udhëzuesin e Komisionit Evropian për Analizën Kosto-Përfitim (2014) dhe Udhëzuesin e Referencës për Investimet Publike të Bankës Botërore (2020).
Cilësia e konceptimit dhe përmbajtjes së SPF dhe STF është përgjegjësia përfundimtare e propozuesve (institucioneve të qeverisjes qendrore) të projektit.
“Studimet mund të përgatiten me burime të brendshme (stafi i institucionit) ose nëpërmjet kontraktimit të subjekteve private të licencuara, enteve publike dhe/ose akademike të specializuara. Dokumentet duhet të dorëzohen për vlerësim në gjuhën shqipe, të hartuar në përputhje me normat gjuhësore dhe teknike të Republikës së Shqipërisë.”, thuhet në udhëzim.
Institucionet propozuese do të gëzojnë njëfarë fleksibiliteti në zbatimin e metodologjisë. Bazuar në natyrën e projektit, institucioni mund të vlerësojë si të paaplikueshme një apo disa seksione të metodologjisë, me kusht që të argumentojë këtë vendim.
Institucionet mund të përfshijnë seksione shtesë në studimet e fizibilitetit për të adresuar kërkesat specifike të projekteve, ose kërkesat e donatorëve dhe financuesve ndërkombëtarë.
Në thelb, udhëzimi thekson se studimi i fizibilitetit është produkt i një procesi të gjatë dhe jo-linear, që përfshin faza reagimi, verifikimi dhe përsëritjeje midis elementeve të ndryshme të analizës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




