Ritmi i rritjes ekonomike mbetet i lartë, Produkti i Brendshëm Bruto rritet me 3.51% në tremujorin e dytë të vitit 2025

Ekonomia shqiptare shënoi një rritje të qëndrueshme në tremujorin e dytë të vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara të hënën nga INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në terma realë u rrit me 3.51% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024.
Rritja u nxit kryesisht nga sektori i shërbimeve, ndërsa bujqësia dhe industria shënuan tkurrje, duke zbutur ritmin e përgjithshëm.
Lokomotiva e rritjes shërbimet dhe Administrata Publike
Kontributi më i madh në rritjen e PBB-së erdhi nga sektori i Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë, i cili kontribuoi me +1.65 pikë përqindje. Ky aktivitet shënoi një rritje me një volum prej 15.11%.
Sektori i madh i Tregtisë, Transportit, Akomodimit dhe Shërbimit Ushqimor (që përfshin turizmin) vijon të jetë një shtytës i rëndësishëm, duke kontribuar me +0.47 pikë përqindje dhe duke shënuar një rritje reale prej 2.72%.
Kontribute të larta patën edhe:
Aktivitetet e Pasurive të Paluajtshme (Real Estate): +0.37 pikë përqindje (Rritje reale 7.86%)
Ndërtimi: +0.30 pikë përqindje (Rritje reale 2.68%)
Bujqësia dhe industria nën presion
Në anën tjetër, dy sektorë tradicionalë shënuan kontribut negativ në PBB, duke treguar nevojën për rigjallërim.
Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi -0.46 me një rënie prej 2.49%
Industria, Energjia dhe Uji -0.18, me një rënie prej 1.79%.
Gjithashtu, taksat neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0.87 pikë përqindje, pas një rritjeje reale prej 6.53%.
Analiza e PBB-së sipas metodës së shpenzimeve tregon se rritja u nxit kryesisht nga kërkesa e brendshme, sidomos nga qeveria:
Konsumi Final i Qeverisë u rrit ndjeshëm me 12.44%.
Konsumi Final i Popullatës shënoi një rritje solide prej 3.88%.
Formimi Bruto i Kapitalit Fiks (Investimet) u rrit me 4.33%.
Në tregtinë e jashtme, Importet (+3.26%) u rritën më shpejt se Eksportet (+0.97%), duke treguar një thellim të deficitit tregtar.
Krahasuar me tremujorin paraardhës (Tremujori I 2025), PBB-ja e përshtatur sezonalisht u rrit me 0.87%, duke ruajtur kështu një trend pozitiv tremujor. Rritjen tremujore e udhëhoqi sektori i Informacionit dhe Komunikacionit (+3.11%) dhe ai i Ndërtimit (+1.34%).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




