Guvernatori Sejko: Shqipëria do të fillojë transfertat në sistemin SEPA nga data 7 Tetor, kosto më të ulëta dhe formalizim i ekonomisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSH), Gent Sejko, njoftoi të mërkurën se Shqipëria do të fillojë transfertat në sistemin SEPA (Single Euro Payments Area) duke filluar nga data 7 Tetor 2025. Ky zhvillim pritet të sjellë ulje të kostove të transfertave bankare për qytetarët dhe një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të ekonomisë.
“Më 7 tetor presim të jemi plotësisht funksionalë në SEPA, një hap ky drejt formalizimit të ekonomisë shqiptare dhe digjitalizimit të sistemit të pagesave,” deklaroi Sejko gjatë një konference për media.
Shqipëria u bë anëtare e SEPA në Nëntor të vitit të kaluar. Guvernatori theksoi se integrimi në SEPA dhe sistemet e tjera të pagesave do të ndikojë në reduktimin e parasë cash dhe në rritjen e efikasitetit dhe sigurisë së pagesave elektronike.
“Presim reduktim të parasë cash dhe rritje të digjitalizimit. Por edhe ulje të konsiderueshme të kostove,” theksoi ai.

BSH mban normën bazë të interesit në 2.50%
Në të njëjtën ditë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.50%.
Ky vendim u mor pas shqyrtimit të Raportit të Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e tretë. Këshilli vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Rritje dhe inflacion i ulët
Raporti i BSH-së theksoi se trendet pozitive të zhvillimit ekonomik po vijojnë. Aktiviteti ekonomik u rrit me 3.5% në tremujorin e dytë. Konsumi privat dhe investimet mbeten motorët kryesorë të rritjes, me një kontribut të rëndësishëm nga turizmi.
“Punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4%, ndërsa papunësia totale ra në 8.5%. Rritja e pagave shënoi 9.5% në sektorin privat. Rritja e kredisë mbeti dinamike me një normë vjetore prej 14%, me një rritje të theksuar të peshës së kredisë në Lekë (58.2% e totalit).”, thuhet në raport.
Këshilli konfirmoi se inflacioni shënoi një rritje të lehtë në Korrik dhe Gusht, duke arritur në 2.4% (nga 2.3% në tremujorin e dytë), ende poshtë objektivit të BSH prej 3%. Kjo u ndikua kryesisht nga rritja e çmimeve të qirave, ndërsa çmimet e ushqimeve vijuan të bien.
Banka parashikon që ekonomia do të vijojë të rritet me ritme solide, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektivin 3% në gjysmën e parë të vitit 2026. Megjithatë, pasiguria e lartë në mjedisin e jashtëm mbetet një faktor rreziku për shkak të dinamikave gjeopolitike dhe luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




