Tubim mbarëkombëtar në Tiranë në mbështetje të ish-komandantëve të UÇK-së në Hagë, Gucati: Do marrë pjesë edhe Rama

Një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë do të zhvillohet më 17 tetor, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se tubimi ka marrë përmasa të gjera dhe mbështetje të madhe nga institucionet, partitë politike dhe qytetarët shqiptarë nga të gjitha trevat.
“Protesta nuk është kundër gjykatës apo drejtësisë, por kundër padrejtësisë që po ndodh tash e pesë vite në Hagë. Kemi përkrahje të madhe nga qytetarët e Shqipërisë, nga qeveria, institucionet dhe partitë politike shqiptare,” tha Gucati.
Ai bëri të ditur se në tubim do të marrin pjesë figura të rëndësishme politike nga Shqipëria dhe Kosova, ndër to kryeministri Edi Rama, ish-presidenti Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, të cilët pritet të mbajnë edhe fjalë rasti.
“Do të jetë ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu do të marrë fjalën. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti do ta marrë fjalën dhe unë si organizator i protestës në Tiranë. E kemi të konfirmuar se kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në protestë. Jemi duke pritur që sot ose nesër të na njoftoj edhe për fjalim. Nuk besoj se do e refuzoj fjalimin, e gjitha varet nga agjenda e tij, por mbrëmë na ka thënë se do të marrë pjesë në protestën e 17 tetorit”, shtoi Gucati.
Sipas tij, mbështetje ka ardhur edhe nga rektorë universitetesh, tifozët “Kuq e Zi”, si dhe nga shumë qytetarë e shoqata në Kosovë. Në përkrahje të protestës janë rreshtuar edhe PDK, AAK, kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.
“Na kanë dalë në mbështetje edhe tifozët “Kuq e Zi” në Shqipëri. Vetëm nga Kosova deri më sot i kemi 60 autobusë të konfirmuar nga tri shoqatat tona; e invalidëve, e dëshmorëve dhe veteranëve që ne jemi duke e organizuar. Falënderojmë kryetarët e komunave që na e kanë mundësuar transportin sepse ne nuk kemi pasur mjete tona”, tha Gucati.
Sipas organizatorëve, qëllimi i tubimit është shprehja e solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare, dhe kundërshtimi i asaj që e konsiderojnë padrejtësi në proceset gjyqësore në Hagë.
Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama i është bashkuar thirrjes së organizatorëve për një tubim mbarëkombëtar në Tiranë, me qëllim kërkesën për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Prej pesë vitesh Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagën, të cilët akuzohen për krime lufte gjatë kohës së luftës në Kosovë. Ish-presidenti Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij i kanë mohuar të gjitha akuzat, ndërsa tubimi në Tiranë vjen pas protestave të ngjashme të zhvilluara së fundmi në Prishtinë dhe Hagë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




