Lufta Rusi-Ukrainë/Zelensky kërkon ndihma në armatime, BE kritikon formatin e takimit Trump-Putin në Budapest

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për furnizimin urgjent me 25 bateri anti-raketore Patriot të prodhuara nga SHBA, në një kohë kur lufta ajrore me Rusinë po përshkallëzohet me shpejtësi.
Kjo deklaratë vjen pas raporteve se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka ndryshuar qëndrim duke u afruar sërish me Moskën, duke nxitur shqetësime për presionin mbi Ukrainën për të pranuar kushtet ruse për përfundimin e luftës.
Gjatë një fjalimi në Kiev pas takimeve me Trump dhe prodhuesit amerikanë të armëve, Zelensky theksoi se Ukrainës i nevojiten 25 sisteme Patriot për të mbrojtur qytetet kryesore dhe infrastrukturën energjetike, të cilat po sulmohen gjithnjë e më shumë nga Rusia me afrimin e dimrit.
Ai propozoi që asetet e ngrira ruse në Perëndim të përdoren për të financuar blerjen e këtyre sistemeve. Aktualisht, Ukraina posedon disa interceptorë raketorë Patriot, por ato nuk mjaftojnë për të mbrojtur territoret kryesore nga sulmet ruse.
Sipas raporteve të fundjavës, Trump i ka bërë presion Zelensky-t gjatë një takimi të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë të premten, duke i kërkuar të pranojë kushtet ruse për t’i dhënë fund luftës.
Sipas Financial Times, takimi herë pas here u shndërrua në një “përplasje me zë të lartë”, ku Trump raportohet të ketë përdorur gjuhë të ashpër. Dy burime të informuara për Reuters thanë se Trump i sugjeroi Zelenskyt të heqë dorë nga territoret e mëdha të kontrolluara nga Rusia, duke thënë se Donbasi duhet të “pritet ashtu siç është tani”.
Të dielën, Trump deklaroi publikisht në Air Force One se Rusia duhet të “shpërblehet” për luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës, duke sugjeruar që Kievi të heqë dorë nga një pjesë e konsiderueshme e territorit të tij sovran.
Këto komente erdhën pas një bisede telefonike dy-orëshe me presidentin rus Vladimir Putin të premten pasdite, ku Trump ftoi Putinin për një samit në Budapest, Hungari.
Ndërkaq, shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, kritikoi formatin e propozuar të samitit në Budapest, i cili duket se përjashton Ukrainën dhe Evropën.
Ajo tha se, ndërsa beson që Trump është “i sinqertë” në dëshirën e tij për paqe, “asgjë nuk mund të dalë nga këto takime nëse Ukraina ose Evropa nuk janë pjesë e tyre”.
Kallas argumentoi se presion ndaj Ukrainës për të bërë lëshime është “qasja e gabuar” dhe se dhënia e fitores një agresori si Rusia do të dërgonte një sinjal të rrezikshëm për aktorët e tjerë agresivë në botë.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, shtoi se vizita e Putinit në Evropë do të kishte kuptim vetëm nëse ai do të nënshkruante një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar me Ukrainën.
“Dialogu me autoritetet ruse është i dobishëm, por vizita e Putinit në BE ka kuptim vetëm nëse çon në një armëpushim të menjëhershëm,” tha ai përpara një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg.
Edhe pse Zelensky e përshkroi takimin me Trump si “pozitiv”, ai konfirmoi se Putin po këmbëngul në kërkesat maksimaliste të Kremlinit, duke përfshirë dorëzimin e të gjithë rajonit të Donbasit.
“Në mendimin tim, Trump nuk dëshiron një përshkallëzim me rusët deri sa të takohet me ta,” tha Zelenskyy, duke shpjeguar vendimin e Trump për të mos miratuar furnizimin me raketa lundruese Tomahawk me rreze të gjatë.
Sipas këshilltarëve të afërt të Zelensky-t, të cituar nga Kyiv Independent, Putin nuk është i gatshëm të negociojë me Ukrainën përveçse për lëshime të mëdha dhe nuk ka pranuar një takim të drejtpërdrejtë me Zelensky-n.
Ata sugjeruan se Putin po përpiqet të mbajë Trump-in në “humor” që të shmangë veprimet e ashpra kundër Rusisë, dhe deri tani duket se po ia arrin këtij qëllimi.
Zelensky shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në samitin e Budapestit nëse ftohet, por kritikoi zgjedhjen e Hungarisë si mikpritëse.
Ai vuri në dyshim rolin e kryeministrit hungarez Viktor Orbán, i cili ka një marrëdhënie të tensionuar me Kievin dhe konsiderohet si vendi i BE-së më pro-Kremlinit.
“Nuk besoj se një kryeministër që bllokon Ukrainën kudo mund të bëjë diçka pozitive për ukrainasit ose të ofrojë një kontribut të balancuar,” tha Zelensky.
Zelensky ka shpresuar për furnizime me armë më të avancuara, si raketat Tomahawk, por kthesa e Trump-it drejt Rusisë ka zbehur këto shpresa për momentin.
Ndërkohë, raportet nga media ruse tregojnë se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, planifikojnë të bisedojnë së shpejti për të hedhur bazat për samitin e Budapestit. Kjo zhvillim tregon se përpjekjet diplomatike po vazhdojnë, por me Ukrainën dhe Evropën që ndihen të përjashtuara nga procesi, tensionet mbeten të larta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




