Erion Veliaj nga Kushtetuesja: U rrëmbeva nga zyrat, u përpoqën të më denigronin dhe hiqnin zërin. Kërkoj drejtësi kushtetuese

Aktualitet | 1 vit më parë

Përçmim ndaj votës së lirë e konsideroi Erion Veliaj arrestimin e tij dhe më pas shkarkimin nga detyra si kryebashkiak.

Ai deklaroi nga Gjykata Kushtetuese, e cila po merr në shqyrtimin ankimin për anulimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij dhe dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve për 6 bashkitë, përfshi dhe Tiranën, si përpjekje për t’i shuar zërin dhe shkelje.

“Kam pritur 9 muaj për këto 9 minuta. Beteja për tu dëgjuar vjen pas një sage të gjatë e zhgënjyese. Jam rrënbyer nga zyrat dhe jam mbyllur në një qeli në një regji burgosje më të rëndë se një vrasje seriale. Më shumë policë në gjykatën kushtetuese se avokatë,. Kam përjetuar një periudhë  të gjatë mbushur me shkelje, denigrimi dhe përpjekje për të heshtur zërin e një të zgjedhur 3 herë nga qytetarët e Tiranës. Ky është përçmim dhe neveri ndaj votës.”, tha Veliaj.

Veliaj tha se është para Gjykatës jo për të kërkuar mëshirë, por për të mbrojtur të drejtën e tij kushtetuese dhe votën e qytetarëve të Tiranës.

“Jam këtu si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Po kërkoj të drejtën time, s’po mbroj veten se nuk kam kryer shkelje, por në respekt për t’iu kërkuar: a ta bëjmë bashkë demokracinë që sot po vihet në sprovë? Ky mandat është besëlidhje publike, kontratë që ma kanë dhënë qytetarët e Tiranës. Kjo besëlidhje është nderi i jetës sime dhe do ta mbroj deri në fund”, deklaroi ai ndërsa e cilësoi “mosprezencën në detyrë” si fyerjen më të rëndë të jetës së tij.

“Mosprezenca në detyrë më shumë se tre muaj: s’kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte fyerja më e rëndë e jetës sime. Erdhi nga bashkëpunëtorët e mi. Nuk denjuan të më ftonin, njoftonin e dëgjonin. Zot fali se s’dinë ç’kanë bërë.

Nëse pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votëb e popullit mund të hiqet,” tha Veliaj në fjalën e tij, duke e cilësuar procesin ndaj tij si të padrejtë dhe politikisht të motivuar.

Në vijim, ai paralajmëroi se pranimi i një shkarkimi të një kryebashkiaku të zgjedhur me votën e popullit, pa një vendim të formës së prerë, do të ishte “rrezik për demokracinë dhe sovranitetin qytetar”.

“Nëse pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit mund të hiqet nga detyra pa vendim të formës së prerë, atëherë nga nesër çdo qytet, çdo bashki dhe çdo mandat popullor mund të bjerë pre e vendimeve politike të momentit. Në atë çast, zgjedhjet humbin kuptimin, vota humbet peshën dhe sovraniteti qytetar zëvendësohet nga vullneti i atyre që duan të sundojnë në emër të ligjit, por duke e përmbysur vetë ligjin”, u shpreh ai.

Veliaj theksoi se nuk është para gjykatës për mëshirë apo privilegj, por për drejtësi kushtetuese, duke e cilësuar Gjykatën si “mburojën morale të Republikës”.

“Drejtësia është mburoja morale dhe fundore e Republikës, ajo që e ndan shtetin e drejtë nga shteti i frikës, ligjin nga arbitrariteti dhe Republikën nga çdo formë sundimi. Kur pushteti e tejkalon veten dhe vullneti politik kërkon të zëvendësojë ligjin, vetëm Gjykata Kushtetuese ka fuqinë dhe detyrën ta ndalojë”, theksoi Veliaj.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej muajit shkurt të këtij viti, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash.

Kujtojmë se një muaj më parë, Qeveria “Rama 4” firmosi shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas një mungese 7-mujore në detyrë, duke qenë nën arrest me burg nga SPAK për disa akuza. Qeveria i dërgoi më pas presidentit Bajram Begaj për dekretim datën e zgjedhjeve në 6 bashkitë e vendit dhe kreu i shtetit dekretoi datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të presidentit për Bashkinë e Tiranës, bashki e cila drejtohej nga Erion Veliaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme