Qeveria ‘’Rama 4’’ firmos shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës
Qeveria “Rama 4” ka firmosur shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas një mungese 7-mujore në detyrë, duke qenë nën arrest me burg nga SPAK për disa akuza.
Vendimi i marrë në mbledhjen e sotme (25 shtator) të Këshillit të Ministrave i hap rrugën zgjedhjeve të reja për bashkinë më të madhe në vend.
Në fillim të javës, Këshilli Bashkiak i kryeqytetit e shkarkoi kryebashkiakun me propozim të këshilltarëve socialistë.
Një ditë më parë kreu i PS-së dhe kryeministri Rama tha se qëllimi është “rindezja e makinerisë” së Bashkisë së Tiranës dhe ofrimi i shërbimeve më të mira për qytetarët. Ai ka propozuar si kandidaturë të socialistëve për bashkinë e kryeqytetit, ish-ministren dhe drejtuesen politike të qarkut, Ogerta Manastirliu.
Erion Veliaj mori zyrtarisht drejtimin e Bashkisë së Tiranës më 30 korrik të 2015-ës, pas fitores së zgjedhjeve të 21 qershorit. Ai arriti ta mbante këtë detyrë për tri mandate deri në arrestimin e tij më 10 shkurt 2025 në ambientet e Bashkisë. Mbi Erion Veliajn rëndojnë 13 akuza, të cilat përfshijnë korrupsionin, pastrimin e parave, fshehjen e pasurisë dhe shpërdorimin e detyrës.
Veliaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për një masë më të butë sigurie.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




