Ankimi i Veliajt, Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin e presidentit Begaj për zgjedhjet vendore në Tiranë

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në Tiranë, pas ankesës së depozituar nga Erion Veliaj. Gjykata vendosi gjithashtu që seanca plenare publike për ankimimin mbi shkarkimin e Veliajt si kryebashkiak i Tiranës të mbahet më 31 tetor.
“Gjykata Kushtetuese vendosi njezëri të kalojë çështjen me kërkues Erjon Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 Tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë“, thuhet në vendim.
Vendimi i marrë sot (9 tetor) nga Kushtetuesja vjen pas depozitimit të kërkesës së Erion Veliajt për shfuqizimin dhe pezullimin e menjëhershëm të dekretit të presidentit.
Sipas ankimimit të paraqitur nga avokatët e Veliajt një javë më parë në Kushtetuese, dekreti presidencial cilësohej si “contra Constitutionem” (antikushtetues) pasi “cenon garancitë kushtetuese që gëzon një i zgjedhur vendor gjatë procedurës së shkarkimit”.
Më 1 tetor, presidenti Begaj dekretoi 9 nëntorin si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në gjashtë bashki të vendit, përfshi edhe Tiranën.
Vendimi i sotëm i Kushtetueses i referohet vetëm zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës. Zgjedhjet në 5 bashkitë e tjera të vendit, Mat, Tepelenë, Cërrik, Berat dhe Vlorë do të mbahen më 9 nëntor, sipas dekretit të firmosur nga presidenti Bajram Begaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




