Ndërtime pa leje në Shëngjin, lehtësohen masat e sigurisë për disa nga të akuzuarit, 9 persona vazhdojnë të jenë nën hetim

Aktualitet | 1 vit më parë

Në Gjykatën e Lezhës u zhvillua sot një seancë rreth 4-orëshe për rishikimin e masave të sigurisë për nëntë personat e vënë nën akuzë lidhur me rastin e ndërtimeve pa leje në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin. Të akuzuarit po hetohen për veprat penale “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “ndërtim i paligjshëm”.

Gjatë seancës me dyer të mbyllura, trupi gjykues vendosi lehtësimin e masave për disa prej të pandehurve.

Vendimet Kryesore

Për Pjetër Tuci, masa e sigurisë u ndryshua nga “Arrest në Burg” në “Arrest në Shtëpi”.

Kurse për Luiza Balën dhe Hekuran Xhinën (Inxhinierë), masa u lehtësua nga “Arrest në Shtëpi” në “Detyrim Paraqitje”.

Për Martin Ndoka (Specialist i Policisë në Komunitet në Shëngjin), u vendos rikthimi i tij në detyrë.

Masat e Konfirmuara

Gentjan Malotaj (ish-Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës), Artur Shabaku dhe Admir Maxhuni (ish-shefa legjitimimesh) do të qëndrojnë me masën “Arrest në Shtëpi”.

Ndërsa për Flori Gjini dhe Kol Malaj (ish-Drejtues të IDMT-së Lezhë), u la në fuqi masa “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit” për veprën “Shpërdorimi i Detyrës”.

Hetimet zbuluan se në këtë zonë turistike janë kryer ndërtime pa leje, të cilat më pas janë legalizuar në kundërshtim me ligjin. Tashmë katër objekte janë vënë nën sekuestro, ndërsa prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera të paligjshmërive në Shëngjin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme