Lirohet nga qelia Alqi Bllako – U dënua me 2 vite e 8 muaj burg, GJKKO: E ka shlyer me paraburgimin

Aktualitet | 12 muaj më parë

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar liroi nga qelia ish-deputetin socialist, Alqi Bllako.

Mbrëmjen e së martës gjykata publikoi edhe vendimin, përmes të cilit tha se, kohëzgjatja e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit të dhënë.

Trupa gjykuese vendosi ta shpallë Bllakon fajtor për korrupsion pasiv për përfitim të 119 mijë eurosh, dhe përfitim për 7 milion lekë, duke e dënuar me 4 vite burg, që në gjykim të shkurtuar shkuan në 2 vite e 8 muaj burg.

Më 11 mars, ish-deputeti socialist Alqi Bllako u dënua me 4 vite burg nga GJKKO për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë” në dy raste, dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuante 2 vite e 8 muaj burg. Por Apeli urdhëroi rigjykimin e çështjes me një trupë tjetër gjykuese.

Sipas SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej rreth 120 mijë eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij, një fabrikë birre në Ersekë.

Alqi Bllako është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli në Shkallë të Parë.

Alqi Bllakos i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vitesh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme