Reshjet gjatë natës shkaktojnë probleme në disa akse rrugore në Gjirokastër e Tepelenë, rritet niveli i Vjosës

Gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet të lartë, të cilat kanë shkaktuar prezencë uji dhe rrëshqitje inertesh në disa akse rrugore në qarkun e Gjirokastrës. Probleme janë evidentuar në aksin Kardhiq–Delvinë, pranë tunelit të Skërficës, në aksin Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë si dhe në aksin Gjirokastër–Kakavijë, përballë fshatit Bularat.
Firmat kontraktore kanë ndërhyrë gjatë orëve të natës dhe mëngjesit, duke pastruar segmentet e prekura, të cilat aktualisht janë të qarkullueshme. Ndërkohë, Policia Rrugore ka vendosur sinjalistikën e nevojshme për orientimin e drejtuesve të automjeteve në zonat ku ka ende prani uji.
Niveli i lumit Vjosë ka arritur në 6.2 metra në urën e Memaliajt, ndërsa në urën e Përmetit është regjistruar në nivelin 4.4 metra. Nga njësitë vendore deri tani nuk janë raportuar problematika të tjera.
Në Bashkinë Memaliaj, përcjellëset e fiderave Miniera 1 dhe Maricaj vazhdojnë të jenë në kontakt me rrjedhën e lumit Vjosë, çka e bën të pamundur energjizimin e zonës.
Në Bashkinë Gjirokastër është stakuar fideri Radio (Kordhocë). Kontrolli i linjës në fushën e Kordhocës mbetet i pamundur për shkak të rrezikut për punonjësit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




