Avdalli: Situata në Gjirokastër drejt përmirësimit, problem mbetet aksi Kolonjë-Golem. 5 fshatra të izoluar në bashkinë Dropull
Përfaqësuesi i Emergjencave Civile në Gjirokastër, Edmond Avdalli në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” ka bërë një panoramim të situatës në këtë qark pas reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit.
Sipas Avdallit, problemi kryesor vijon të mbetet aksi rrugor Kolonjë–Golem, i cili është në rikonstruksion. Ai theksoi se një tjetër problematikë mbetet Ura e Glinës në bashkinë Dropull, ku pesë fshatra të kësaj bashkie dhe një i bashkisë Libohovë rezultojnë të izoluar.
“Në lartësinë mbi 15500 m ka pasur reshje të lehta dëbore. Kanë pushuar reshjet e shiut që prej ditës së djeshme. Probleme në qarkun e Gjirokastrës mbetet aksi rrugor Kolonjë-Golem. Ky aks është në rikonstruksion dhe firma ndërtuese për shkak të rrëshqitjeve masive u tërhoq, do rifillojë pastrimin e aksit ditën e sotme. Ura e Glinës në bashkinë Dropull ku janë të izoluar pesë fshatra të bashkisë Dropull dhe një i bashkisë Libohovë”, deklaroi Avdalli.
Ky i fundit bëri me dije se gjatë ditës së djeshme, është punuar intensivisht për krijimin e një bypass-i mes fshatit Glinë dhe Nepravishtë, duke angazhuar mjetet e dy bashkive si dhe të bizneseve private që operojnë në zonë.
Avdalli bëri të ditur se në qarkun e Gjirokastrës nuk janë raportuar banesa të dëmtuara apo banorë të evakuuar, ndërsa situata po shkon drejt përmirësimit.
“Ditën e djeshme për të krijuar një bypass mes fshatit Glinë dhe Nepravishtë është punuar me të gjitha mjetet e dy bashkive dhe bizneseve private që operojnë në atë zonë. Në qarkun e Gjirokastrës gjatë këtyre ditëve nuk kemi pasur banesa të dëmtuara dhe banorë të evakuuar. Situata vjen drejt përmirësimit. Forcat operacionale të gjithë strukturave të mbrojtjes civile janë në terren.
Rrugët nacionale janë të hapura dhe furnizimi me energji elektrike që prej ditës së djeshme nuk ka pasur probleme”, përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




