Rrëshqitje dherash dhe ndërprerje energjie në Kukës, gazetarja Gërmizi jep detaje: Hidrocentrali i Fierzës me kuotë të lartë

Aktualitet | 11 muaj më parë

Problemet e shkaktuara nga reshjet e shiut dhe dëborës kanë dominuar ditët e fundit në qarkun e Kukësit. Rrëshqitjet e dherave dhe rënia e gurëve kanë krijuar vështirësi në disa segmente rrugore, veçanërisht në aksin Kukës–Shishtavec, Kukës–Vushtrri dhe Bajram Curri–Fierzë. Gazetarja Besjana Gërmizi, në një raportim për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, bëri të ditur se këto zona kanë qenë më të prekura nga moti i keq.

Ndërsa firmat kontraktuese kanë ndërhyrë për pastrimin e rrugëve dhe aktualisht situata paraqitet e normalizuar, sfida janë shfaqur edhe në furnizimin me energji elektrike.

Disa njësi administrative, përfshirë Arrën, Shishtavec, Fierzë, Golaj dhe Llugaj, kanë pasur ndërprerje të energjisë gjatë ditëve të fundit. Sipas Gërmizit, ekipet e OSHEE vijojnë punën për rikthimin e stabilitetit në të gjithë qarkun e Kukësit, Hasit dhe Tropojës.

“Ditët e fundit kanë qenë të ndryshme sa i përket motit me prezencë të reshjeve të shiut dhe dëborës.

Dëborë që ka rënë kryesisht në Bjeshkë dhe zona të thella malore. Problemet që kanë rezultuar lidhen kryesisht me qarkullimin rrugor, rrëshqitje dherash e gurësh sidomos në zonat problematike që ka qarku i Kukësit, flasim kryesisht për rrugët nacionale, rruga Kukës-Shishtavec, Kukës-Vushtricë, Bajram Curri fierëzë janë disa nga rrugët që kanë shfaqur më tepër probleme.

 Aktualisht nuk paraqiten probleme. Kjo pasi situata është normalizuar në mënyrë të vazhdueshme nga firmat kontraktore që janë në qarkun e Kukësit.

Patjetër që ka pasur probleme dhe me furnizimin me energjinë elektrike që në disa njësi administrative vazhdojnë të jenë prezentë: njësia administrative Arrën, Shishtavecë, Fierzë, Golaj, Llugaj, etj,, janë disa njësi administrative të Kukësit, Hasit apo edhe Tropojës. Por në tërësi flasim për një situatë moti të mirëmenaxhuar”, deklaroi Gërmizi.

Gazetarja theksoi se niveli i ujit në Hidrocentralin e Fierzës është rritur mbi mesataren e periudhës.

“Me reshjet që pritet të vazhdojnë, prodhimi i energjisë pritet të jetë në kapacitet të plotë,” u shpreh Gërmizi.

Në përfundim të raportimit, gazetarja theksoi se situata e motit në qark është cilësuar e mirëmenaxhuar, ndërsa autoritetet lokale vijojnë monitorimin e kushteve që mund të sjellë dimri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme