Papa Leoni XIV: Erdogan mund të jetën aktor kyç për vendosjen e paqes në Ukrainë

Botë | 11 muaj më parë

Papa Leoni XIV deklaroi se marrëdhëniet e veçanta diplomatike të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan me liderët e Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara e bëjnë atë një figurë kyçe për të nxitur dialogun dhe për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm në luftën e Ukrainës.

Këto komente i bëri gjatë fluturimit drejt Libanit, pas vizitës historike tre-ditore në Turqi ku vizitoi Ankaranë, Stambollin dhe qytetin antik të Iznikut (Nikea).

“Qëllimi im ishte të jem lajmëtar i paqes”, tha Papa, duke nënvizuar se bisedat me presidentin Erdoğan ishin “një element i rëndësishëm” i udhëtimit dhe se lidhjet e drejtpërdrejta të Turqisë me të gjitha palët krijojnë një mundësi reale për zgjidhje.

Përtej konfliktit në Ukrainë, Papa lavdëroi Turqinë si shembull global se si një popullsi me shumicë myslimane dhe minoritete të krishtera mund të bashkëjetojnë në harmoni.

 “Këtë është ajo që të gjithë ne do të donim ta shihnim në mbarë botën”, tha ai, duke e paraqitur politikën e brendshme turke si një pikë referimi ndërkombëtare.

Lidhur me Lindjen e Mesme, Papa Leoni XIV ripohoi mbështetjen e Vatikanit për zgjidhjen me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës.

Edhe pse Izraeli aktualisht e refuzon, ai theksoi se kjo mbetet “e vetmja rrugë e mundshme”.

Papa zbuloi se këtë pikëpamje e ndan edhe me presidentin Erdoğan ndërsa shtoi se “Turqia ka një rol të rëndësishëm që mund të luajë edhe këtu”, duke treguar një vizion të përbashkët për një zgjidhje të drejtë në rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme