Euro U-19 për vajza, Shqipëria fiton ndaj Lihtenshtejnit në “Egnatia Arena”

Kombëtarja U-19 e vajzave luajti sot ndeshjen e tretë dhe të fundit të raundit të parë të kualifikueseve të Europianit 2026, përballë Lihtenshtejnit. Në stadiumin “Egnatia Arena” Shqipëria fitoi me rezultatin e thellë 5-0. Golat u shënuan nga Angela Nika, Klesta Ago, Adela Qose, Klausia Murataj dhe Xhesika Ndoj.
Trajnerja Daniela Kodra e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Amelia Mone (GK), Isabella Kuci, Angela Nika, Stela Vata, Xhesika Ndoj (C), Bora Bushati, Klesta Ago, Samanta Hysa, Amelia Reci, Adela Qose, Erina Bajramaj. Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërsa në fraksionin e dytë ishte Angela Nika që hapi serinë e golave në minutën e 76-të.
Në minutën e 84-t ishte Klesta Ago që dyfishoi rezultatin, ndërsa Adela Qose realizoi golin e tretë në minutën e 89-të. Në kohën shtesë vajzat shënuan edhe dy gola të tjerë me Klausia Murtaj dhe Xhesika Ndoj, duke e mbyllur sfidën 5-0.
Në ndeshjen tjetër të grupit, të luajtur në “Elbasan Arena”, Sllovakia triumfoi 3-0 ndaj Luksemburgut dhe siguroi vendin e parë. Ndeshjet e grupit B2 të raundit të parë të kualifikueseve të Europianit 2026 u zhvilluan në Shqipëri nën organizimin e Federatës së Futbollit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




