Kremlini: Putin nuk hodhi poshtë planin e paqes të SHBA-së për Ukrainën

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, mohoi se Presidenti Vladimir Putin kishte refuzuar tërësisht propozimet e SHBA-së për paqe në Ukrainë, duke theksuar se disa pjesë ishin “të pranueshme”.
“Dje ishte hera e parë që u zhvillua një shkëmbim i drejtpërdrejtë mendimesh. Diçka u pranua, diçka u shënua si e papranueshme. Ky është një proces normal pune dhe një kërkim për kompromis,” tha Peskov gjatë konferencës së përditshme për shtyp.
Ai refuzoi të jepte detaje të negociatave pesë-orëshe në Kremlin, duke theksuar se sa më shumë qetësi të mbretërojë gjatë bisedimeve, aq më produktive janë ato.
“Ekziston një mirëkuptim se sa më qetësi të mbretërojë kjo negociatë, aq më produktive janë ato. Ne do t’i përmbahemi këtij parimi dhe shpresojmë që edhe homologët tanë amerikanë ta bëjnë këtë”, tha ai.
I dërguari special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner zhvilluan një takim të nivelit të lartë me Putin-in të martën në Kremlin, në kuadër të një jave intensive diplomacie nga administrata amerikane për të gjetur rrugëdalje nga konflikti i zgjatur në Ukrainë.
Sipas këshilltarit të politikës së jashtme të Presidentit rus, Yuri Ushakov, bisedimet ishin të dobishme, konstruktive dhe shumë thelbësore, por nuk prodhuan një kompromis.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




