Ish- deputeti Salianji nga Durrësi: PD të përgatitet që të udhëheqë ndryshimin, duhet “zë i ri” që bashkon njerëzit

Politikë | 11 muaj më parë

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka lëshuar mesazhe të forta kritike ndaj drejtimit aktual të Partisë Demokratike gjatë një takimi me strukturat dhe simpatizantët në Durrës. Në një analizë pa doreza të situatës opozitare, Salianji pranoi se PD ndodhet në një ngërç të thellë, e paaftë për të frymëzuar qytetarët dhe për të reaguar ndaj skandaleve qeveritare.

Sipas tij, 7 muaj pas zgjedhjeve, në parti nuk është bërë asnjë analizë, nuk është mbajtur asnjë përgjegjësi dhe strukturat janë lënë në harresë.

“Pafatësia” e opozitës dhe dështimi në zgjedhje

Salianji e cilësoi gjendjen e opozitës si “pafatësi”, duke marrë si shembull dështimin në mobilizimin e votuesve. Ai solli në vëmendje diferencën e thellë në zgjedhjet e pjesshme në Vlorë, ku sipas tij, mazhoranca nxori 15 mijë votues, ndërsa PD nuk kaloi pragun e 2500 votave.

“Ne jemi të qartë pse nuk i motivojmë njerëzit të dalin të votojnë. Ne nuk mund t’i mbyllim sytë kur një super-skandal si rasti i Belinda Ballukut nuk bëri që njerëzit të vërshonin në shesh dhe të rrëzonin qeverinë. Ministra e kryebashkiakë përballen me drejtësinë, por PD përsëri nuk po rritet,” deklaroi ai.

Kritika lidershipit

Ish-deputeti theksoi hendekun e madh që është krijuar mes bazës së partisë dhe drejtuesve në Tiranë. Ai foli për “militantët që luftojnë por nuk dëgjohen” dhe për demokratët që janë lodhur nga humbjet e njëpasnjëshme.

“Na kanë gërryer shpirtin. E di zhgënjimin, harresën dhe problemet nga listat e mbyllura. Kam reaguar edhe nga burgu. E shoh largimin nga realiteti i njerëzve, mungesën e shpresës, mosdhënien e llogarisë dhe mosmbajtjen e takimeve 7 muaj pas zgjedhjeve. Demokratët janë lodhur dhe ne nuk duhet të kemi frikë ta themi të vërtetën ashtu siç është,” u shpreh Salianji.

Thirrja për “zërin e ri”

Zgjidhja, sipas Salianjit, nuk është vazhdimi i “status quo”-së, por hapja reale e partisë dhe krijimi i një alternative të re qeverisëse. Ai bëri thirrje për një “zë të ri” që bashkon njerëzit përtej logjikës së ngushtë partiake.

“PD është pasuri kombëtare, por ajo duhet të hapet, të ripërtërihet, të zgjohet. Zëri i ri ka sjellë shpresë dhe aspirata fitoreje në disa bashki. Ne kemi forcën për ta sjellë rotacionin, por historia nuk është opsion, është përgjegjësi. Sot jemi këtu sepse demokratët janë duke thirrur. Shqipëria është duke thirrur. Dhe thirrjet e tyre as nuk duhet zbukuruar dhe as nuk duhet relativizur. PD duhet të përgatitet që të udhëheqë ndryshimin që të gjithë po presin. Dhe ky ndryshim po fillon nga kjo sallë që po fillon. Nga kjo energji që është e pashtershme, por nuk i jepet mundësia për arsye që gjithsecili prej jush i di.” përfundoi ai, duke kërkuar që PD të ngrihet në lartësinë e pritshmërive të shqiptarëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme