Ndryshojnë tekstet shkollore, reforma kurrikulare do të nisë me klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta

Sociale | 11 muaj më parë

Prej një viti Ministria e Arsimit ka nisur nga puna për rishikimin e kurrikulës në arsimin parauniversitar. Nga shtatori i vitit të ardhshëm është parashikuar që një pjesë e teksteve shkollore të ndryshojnë, duke i bërë më të thjeshta dhe më të kuptueshme për nxënësit. Drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë, Gerti Janaqi, në një intervistë për RTSH ka sqaruar se reforma e re kurrikulare do të nisë me klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta, duke vijuar deri në vitin 2029.

“Vitin e ardhshëm ne do të kemi tekste të reja për Edukatën Qytetare, Gjuhën Shqipe, edhe si pasojë e një bashkëpunimi me fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë për të përshtatur akoma më mirë  të gjithë tekstet që kemi në sistem me konceptet klasike të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, edhe për të përshtatur edhe për të përshtatur tekstet e Edukatës Qytetarësisë me të gjitha parametrat apo kërkesat e një Shqipërie që kërkon të integrohet në Europë. Tekste e tjera shkojnë në përditësime pasi ndryshimet lidhen më shumë me koncepte që janë inovative të reja, apo lehtësime nga tema që mund të jenë të përsëritura apo të vjetruara”, u shpreh Janaqi.

Por çfarë do të ndryshojë konkretisht në tekstet e gjuhës shqipe, matematikës dhe lëndëve të tjera?

“Ne kemi ruajtur të njëjtën strukturë të planit mësimorë, me disa përditësime të vogla. Gjuha dhe Letërsia janë të ndara në gjimnaz, sigurisht që kontekstualizohet më mirë me traditën shqiptare, por edhe me klasikët, punohet shumë me sintaksën. Ndryshimet kanë të bëjnë më shumë me aftësimin teknologjik edhe në shkenca. Nuk synojmë të kemi vetëm teste të printuara, por edhe përdorimin e platformave digjitale që shoqërojnë këto lëndë”, theksoi Janaqi.

Rreth 200 pedagogë të fushave të ndryshme janë përfshirë në hartimin e kurrikulës së re të arsimit parauniversitar. Paralelisht me ndryshimet e teksteve shkollore do të zhvillohet edhe trajnimi i mësuesve, që të jenë të gatshëm të vënë në zbatim kompetencat e kurrikulës së re.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme