Dhjetori ’90, ish-studenti në RTSH24: Rinia sot proteston me heshtje, por duhet të përfshihet në jetën politike

Aktualitet | 11 muaj më parë

Dhjetori i vitit 1990 shënoi fillimin e një epoke të re për Shqipërinë, duke hapur rrugën drejt pluralizmit dhe lirisë politike. Në një intervistë për RTSH24, ish-studenti i Lëvizjes së Dhjetorit ’90, Ilir Disdari, kujtoi emocionet, kauzën dhe ndikimin historik të atyre ditëve që ndryshuan përgjithmonë vendin.

Disdari rikujtoi se studentët ishin ndër grupet më pak të indoktrinuara të kohës dhe se lëvizja erdhi natyrshëm si revoltë kundër mungesës së lirisë.

“8 dhjetori ngelet për ne që e jetuam atë kohë si koha më e mirë. Po të bësh retrospektivën lëvizja e studentëve ishte dita dhe vendimi më i mirë për Shqipërinë. Ajo solli jo vetëm pluralizmin, shembjen e idhujve dhe studentët ishin në luftë të hapur me sistemin në atë kohë. Lëvizja ishte lëvizje sociale kolektive mbivetjake. Rinia e asaj kohe ziente, nuk ishim njerëz të lirë dhe kërkuam pikërisht këtë, pluralizmin politik. Ne ishim grupi më pak i indoktrinuar i kohës dhe erdhi natyrshëm si lëvizje”, tha ai.

Duke bërë një rezyme të viteve ‘90 dhe kohës së sotme 35 vite pas, Disdari tha se vendi ka ecur përpara por se shumë gjëra kanë çaluar për shkak të politikës që nuk arriti standardet që studentët e Dhjetorit ëndërruan.

“Politika shqiptare fatkeqësisht nuk arriti dot nivelin që në shpresuam atëherë, sot ende mbizotëron politika e “unit”. Ne çalojmë jo vetëm te politika, por edhe si popull në disa gjëra. Elita e asaj kohe i perceptoi gjërat dhe personat më të besueshëm te ne ishin profesorët tanë, të cilët më vonë u futën në politikë dhe bënë ato gabime që në ndërtimin e institucioneve duhet investim intelektual dhe jo politik. Në thelb regjimi u transformua nga një shoqëri e mbyllur, në një shoqëri të lirë. Është bërë shumë punë e madhe në Shqipëri, por duhet të kërkojmë më tepër”, tha Disdari.  

Disdari ngre shqetësimin për shpërnguljen masive të të rinjve, të cilën e konsideron një formë të re proteste, por edhe një rrezik për të ardhmen e vendit. Ai thekson se të rinjtë duhet të ruajnë identitetin, të sfidojnë politikën dhe të rrisin nivelin e organizimit.

“Mosqarkullimi i elitave, mosngritja e institucioneve të duhura dhe sot ne etiketohemi nga ndërkombëtarët si demokraci hibride, pra politika shqiptare nuk arriti të kalojë dot klasën. Më vjen keq që pas gjithë këtyre viteve, personazhe të viteve ‘90 vijojnë të marrin dominancën kur kanë kaluar mbi 3 breza, sepse duan të mbajnë monopolin e politikës në vend.

Rinia e sotme më duket pak e flashkët dhe duhet të kërkojnë më shumë. Por nëse ikin të gjithë në emigracion kush do i kërkojë të drejta e tyre. Të rinjtë kanë zgjedhur formën e tyre të protestës heshtjen dhe emigrimin, injorimin e klasës politike dhe bojkotimin në votime. Nëse rinia do të vijojë të ikë ne do të kemi vetëm probleme, humbim resurse shumë më të çmuara.

Politika shqiptare e ka bërë situatën e tillë që ke pak mundësi të jesh vetvetja, por të rinjtë duhet të arrijnë të ruajnë identitetin e tyre dhe përfaqësimi i atyre sfidave që brezi sot i rinisë i ka dhe të sfidojnë politikën dhe të përfshihen në të. Organizimet e tyre sot janë shumë të vogla”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme