Kosova njihet zyrtarisht nga BE-ja si vend i sigurt për azil

Kosovë | 11 muaj më parë

Bashkimi Evropian (BE) ka shpallur Kosovën dhe 6 vende të tjera si “të sigurta” për azil. Këshilli ra dakord që vendet e mëposhtme duhet të përcaktohen si vende të sigurta origjine në nivel BE-je: Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Kosova*, Maroku dhe Tunizia.

Sipas njoftimit, bëhet e ditur se Këshilli ra dakord për qëndrimin e tij mbi dy pjesë të legjislacionit të BE-së që do të forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore të vendit të sigurt në rregullat e azilit të BE-së.

Në njoftim thuhet se këto ligje të reja të BE-së për migracionin synojnë të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive të azilit për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së.

Në lidhje me këtë Rasmus Stoklund, ministri danez për Emigracionin dhe Integrimin ka thënë: “Jam i lumtur që ne – shtetet anëtare – kemi rënë dakord për një qasje të përgjithshme për rishikimin e konceptit të ‘vendit të tretë të sigurt’, i cili u lejon shteteve anëtare të bëjnë marrëveshje me vende të treta të sigurta për përpunimin e azilit jashtë Evropës”.

Sipas vendimit të Këshillit, Kosova është përfshirë si vend i sigurt i origjinës. Kjo do të thotë se aplikimet për azil nga qytetarët kosovarë mund të trajtohen në mënyrë të përshpejtuar. Vendosja e Kosovës në listë bazohet në vlerësimin se vendi ofron mbrojtje të mjaftueshme kundër persekutimit dhe shkeljeve të rënda të të drejtave themelore.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo kërkesë azili nga Kosova do të refuzohet automatikisht, çdo aplikim individual mund të shqyrtohet nëse ekzistojnë arsye specifike për mbrojtje.

Në njoftim sqarohet se rregullorja e re, që rishikon konceptin e vendit të sigurt të tretë, do të zgjerojë rrethanat në të cilat një kërkesë për azil mund të refuzohet si e papranueshme. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme