Vetëm 2 gola në 5 ndeshjet e fundit, ngërçi i sulmit po penalizon Vllazninë

Abissnet Superiore | 11 muaj më parë

Pesë javët e fundit të kampionatit kanë folur për një krizë te Vllaznia, që ka rrëshqitur në vend të 4-t, me pikë të barabarta me Dinamo City. Shkodranët nuk fitojnë pikërisht që nga sfida direkt me blutë.

Mund të jetë një nga ato kriza që e kalon çdo skuadër futbolli gjatë nbjë sezoni, ndërsa ajo që duket qartë ka të bëjë me ngërçin e sulmit të Vllaznisë. Bekim Balaj, golashënuesi më i mirë i kampionatit, nuk ka mundur ta gjejë rrugën e rrjetës këto 5 javë, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në rezultatet e skuadrës.

Vllaznia ka shënuar vetëm 2 gola në këto 5 javë, me autorë Esat Malën (ndaj Partizanit) dhe Sherif Kallakun (ndaj Bylisit). I pari mesfushor sulmues dhe i dyti mesfushor. Rendiment shumë i ulët për një skuadër pretendente për titull. Edhe pse kanë sulmin e dytë më të mirë (20 gola, ashtu si Vllaznia), kuqeblutë po vuajnë shumë në këtë drejtim javët e fundit.

Bismark, sulmuesi që u mor nga Skënderbeu si zëvendësues i Balajt, më shumë ka qenë jashtë fushe për shkak dëmtimi. Edhe kur ka luajtur, ai nuk ka arritur të lërë gjurmë.

Sfida e radhës është me Tiranën në kryeqytet, në të ashtuquajturën “Klasikja e Shqipërisë”, ku Vllaznia ka nevojë të kalojë ngërçin e sulmit për t’u rikthyer te fitorja e munguar. Sepse me ritmin aktual, që është si ai i një skuadre mbijetese, do t’i komplikonte edhe më tej pozitat e saj në tabelën e klasifikimit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme