Komisioni i Ligjeve, miratohet ligji i ri për “Sinjalizuesit”, në sitë edhe paketa e Reformës në Drejtësi dhe ligji “Antimafia”

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, ka zhvilluar një mbledhje ku janë shqyrtuar dhe miratuar disa nisma ligjore, duke filluar nga lufta kundër korrupsionit e deri te rregullimi i sistemit të drejtësisë.
Sipas njoftimit për shtyp, në fokus të veçantë ishte miratimi i projektligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve, si dhe shqyrtimi i ndryshimeve të reja në paketën e Reformës në Drejtësi.
Drita jeshile për “Sinjalizuesit”
Komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. Kjo nismë erdhi si një bashkim i propozimit të deputetit Erion Malaj dhe nismës së Këshillit të Ministrave, duke u trajtuar si një projekt-akt i vetëm.
Të pranishëm në diskutime ishin Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, dhe kreu i Drejtorisë së Përgjithshme Antikorrupsion, Insidor Rexhepi.
Pas diskutimeve dhe riformulimeve të nevojshme, ligji mori miratimin e komisionit dhe tashmë i kalon seancës plenare për votim final. Ky ligj synon të forcojë mekanizmat e denoncimit të korrupsionit dhe të garantojë mbrojtje më të fortë për personat që raportojnë shkelje.
Ndryshimet në Reformën në Drejtësi
Pjesë e agjendës ishin edhe dy nismat e deputetit Olsi Komici që prekin ligjet organike të Reformës në Drejtësi: atë për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe ligjin për organet e qeverisjes së sistemit (KLGJ dhe KLP).
Komici sqaroi se “ndryshimet synojnë saktësimin e afateve të verifikimit për magjistratët e rinj, rritjen e transparencës në ngritjet në detyrë dhe qartësimin e rolit të Prokurorit të Përgjithshëm”.
Relatorja Aulona Bylykbashi vlerësoi se këto ndërhyrje janë kyçe për procesin e integrimit evropian dhe konsolidimin e sistemit. Komisioni vendosi të vijojë shqyrtimin e këtyre dy projektligjeve në mbledhjet e ardhshme.
Kontrolli i ligjit “Antimafia”
Në fillim të mbledhjes, Komisioni miratoi gjithashtu termat e referencës për kryerjen e Kontrollit Post-Legjislativ të ligjit të njohur si “Antimafia” (ligji për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar përmes masave pasurore).
Gjithashtu, u miratua kërkesa për strukturën dhe klasifikimin e punonjësve administrativë që do të vijojnë punën pas përfundimit të mandatit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




