A do përjashtohet Salianji? Berisha pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar: Shikoni statutin! Ka dhe vetëpërjashtime

Politikë | 11 muaj më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të gjitha strukturat e partisë janë në një linjë për fillimin e protestave kundër qeverisë. Ai theksoi se qëllimi është të vendoset një fund për “regjimin aktual” dhe se kjo parti ka vendosmërinë më të madhe që nuk e ka pasur ndonjëherë.

“Kryesia, grupi parlamentar dhe Këshilli Kombëtar janë në një linjë që shënon vendimin e kësaj force politike për fillimin e revoltave, të cilat do të ndërpriten vetëm kur ky regjim të arkivohet në “banesën e turpit” të historisë. Pashë një gadishmëri që nuk e imagjinoni dot, një vendosmëri të tillë që kjo parti nuk e ka pasur ndonjëherë. Pavarësisht se po shkërmoqet dhe po përballet me goditje të forta, përsëri duhet që populli shqiptar ta “krrejë” Edi Ramën,” tha Berisha.

Sa i përket tensioneve brenda PD-së, Berisha u shpreh se nuk ka koment për deklaratat e ish-deputetit Ervin Salianji përveçse atyre që ka thënë më herët se “është e papranueshme që një anëtar i kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të organizojë takim me Suel Çelën”

I pyetur nëse do e përjashtojnë Salianjin, Berisha tha se ka dhe vetëpërjashtime të individëve që nuk janë në linjë me vendimet e partisë.

 “Nuk kam koment për komentet e Salianjit. Për këtë çështje e kam shprehur qartë si kryetar i PD dhe nuk e lëviz. Qëndrimi absolut i kësaj force politike, vija e kuqe, janë bandat dhe krimi. A mund të përjashtohet Salianji? Shikoni statutin. Ju thatë se nuk do të ketë përjashtime? Nuk kam thënë që nuk ka vetëpërjashtime,” shtoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme