Arrestohen tre pronarë marketesh për tregtim të paligjshëm të fishekzjarrëve. Policia apel qytetarëve: Mos përdorni lëndë piroteknike!
Policia e Tiranës ka goditur tre raste të tjera të tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, duke arrestuar pronarët e tre marketeve në Kombinat, Kamzë dhe Krujë.
Në subjektet e tyre u gjetën kuti me fishekzjarre dhe kapsolla, të mbajtura me qëllim shitjen, në kundërshtim me ligjin.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të planit të posaçëm operacional “Fireworks”, shërbimet e Policisë së Tiranës kanë kryer kontrolle intensive në subjekte që dyshohet se tregtojnë pa autorizim lëndë piroteknike, një veprimtari e cila rrezikon shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Si rezultat, u arrestuan shtetasit K. K., A. B. dhe F. Sh., pasi në marketet e tyre, përkatësisht në Rrugën e Qelqit (Kombinat), bulevardin “Nënë Tereza” (Kamzë) dhe në fshatin Hasan (Krujë), u sekuestruan sasi të konsiderueshme fishekzjarresh.
Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 proceduan penalisht shtetasin E. B., 21 vjeç, si dhe shpallën në kërkim policor shtetasin E. P., 20 vjeç. Në rrugën “Aleksandër Moisiu”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e drejtuar nga E. B., u gjetën fishekzjarre që dyshohet se ishin porositur nga E. P. Policia po punon për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Me këto raste, numri i paligjshmërive të evidentuara që prej nisjes së planit “Fireworks” ka shkuar në 7, duke treguar intensitetin e kontrolleve të përditshme në prag të festave të fundvitit. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës apelon sërish për qytetarët që të mos përdorin dhe tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, e rrezikshme për jetën dhe shëndetin, ndëshkohet konform ligjit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



