Trump emëron të dërguar special në Groenlandë, Danimarka thërret ambasadorin e SHBA për sqarime

Danimarka do të thërrasë ambasadorin e SHBA-së pas njoftimit të presidentit Donald Trump për emërimin e një të dërguari të posaçëm për Groenlandën, territorin autonom danez, që Trump ka kërcënuar ta aneksojë. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, ka shprehur zemërimin e tij për këtë emërim, duke e cilësuar si “krejtësisht të papranueshëm”. Ai shtoi se ministria e jashtme daneze do të kërkojë një shpjegim nga ambasadorin e SHBA-së në ditët në vijim.
Trump ka shprehur disa herë interesin për Groenlandën, duke theksuar se ishulli është i rëndësishëm për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e përdorimit të forcës për ta siguruar atë. Ai njoftoi emërimin e guvernatorit të Luizianës, Jeff Landry, si të dërguarin special të SHBA-së për Groenlandën, duke thënë se Landry do të “përparojë fuqishëm interesat e sigurisë dhe mbrojtjes” për SHBA-në dhe aleatët e saj.
Udhëheqësit e Danimarkës dhe Groenlandës kanë theksuar vazhdimisht se ishulli nuk është në shitje dhe se do të jetë Groenlanda që do të vendosë për të ardhmen e tij.
Rasmussen theksoi se emërimi i dërguarit të posaçëm të SHBA-së konfirmon interesin e vazhdueshëm amerikan për Groenlandën, por ai kërkoi respekt për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës. “Ne këmbëngulim që të gjithë – përfshirë SHBA-në – duhet të tregojnë respekt për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës”, përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




