Ambasadori i SHBA-së në NATO: Topi është në fushën e Rusisë për negociatat e paqes në Ukrainë

Europë | 10 muaj më parë

Përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker ka deklaruar se pozicioni i Ukrainës është i njohur mirë, ndërsa SHBA-ja po përpiqet të kuptojë se cilat kompromise është e gatshme të bëjë Rusia.

“Topi është tani në fushën e Rusisë. Mendoj se ata kanë një ofertë. Aktualisht ka rreth katër dokumente në tryezë: një plan paqeje me 20 pika së bashku me garanci sigurie multilaterale, garanci sigurie të ofruara specifikisht nga Shtetet e Bashkuara, një plan për rritje ekonomike dhe prosperitet pas arritjes së paqes.

Të gjitha këto po diskutohen në kohë reale. Tani kemi të qartë çfarë dëshiron Ukraina.

Po përpiqemi të kuptojmë maksimumin që është e gatshme të bëjë Rusia. Ata vazhdojnë të kryejnë sulme masive gjatë natës kundër Ukrainës, çka flet vetë për veten në një farë mase.

Por Presidenti Trump është i vetmi, si ndërmjetësuesi kryesor, që mund t’i sjellë të dyja palët në tryezën e negociatave dhe të shohë nëse mund të arrijë një marrëveshje. Ekipi i tij po bën përpjekje të jashtëzakonshme”, tha Whitaker në një intervistë për Fox News.

Ai theksoi se i vetmi që nuk pranon se viktimat janë shumë të larta dhe se negociatat janë të nevojshme është Putini.

“Por Rusia kurrë nuk ka qenë e gatshme të pranojë këtë. Ata gjithmonë kanë qenë të gatshëm të vuajnë më shumë se shumica e vendeve të tjera.

Humbje të tilla dhe miliona viktima nuk do të toleroheshin kurrë nga asnjë vend tjetër përveç Rusisë. Megjithatë, kjo është ajo që po bëjnë për fitime shumë të vogla, nëse ka fare, në fushëbetejë”, shtoi Whitaker.

Këto deklarata vijnë në një kohë ku negociatat për paqen në Ukrainë po intensifikohen, me raportime se palët po punojnë mbi katër dokumente finale, duke përfshirë planin e paqes, garancitë e sigurisë dhe aspektet ekonomike pas konfliktit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme